Ministër mirë se erdhët në shtëpi: Thaçi gjatë takimit me Cakajn kërkon heqjen e kufirit Kosovë-Shqipëri

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj ka ardhur për vizitë në Kosovë ku zhvilloi një takim me Presidentin Hashim Thaçi. Ky i fundit i ka uruar shefit të diplomacisë shqiptare mirëseardhje në shtëpi, teksa ka kërkuar heqjen e kufirit mes dy vendeve.

Në një konferencë të përbashkët për media, Thaçi ka thënë se Shqipëria ka dhënë një kontribut të madh për Kosovë dhe se duhet koordinim i dy shteteve tutje.

“Shqipëria ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm historik, por edhe tash në anëtarësimin e Kosovës në organizata të mëdha, kërkohet një koordinim mes Prishtinës dhe Tiranës. Është mirë që e kemi fokus që të jemi pjesë e NATO’s por edhe e BE’së”, ka thënë ai.
Presidenti i ka uruar mirëseardhje Cakajt në shtëpi, teksa ka përmendur se kufiri mes dy vendeve duhet të hiqet.

“Ne duhet të kemi një hapësirë pa kufi të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, kësaj do t’i jep një shtytje të madhe edhe Cakaj. Zotri Ministër mirë se keni ardhur në shtëpinë tuaj”, ka thënë ai.