Zhdukja e opozitës/ Hajdar Beqa: Kurti po bën deklarata të liderëve të regjimeve, sikur Kim Jong Un

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë ditë më parë se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë nuk i konvenojnë as qeverisë dhe as opozitës.

Sipas tij opozitës nuk i konvenojnë zgjedhjet, sepse i humb. E qeverisë nuk i konvenojnë zgjedhjet sepse zhduket opozita.

Këto deklarata të tij, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa i quan të papjekura.

Madje thotë se deklarata të tilla janë të liderëve të regjimit, duke përmendur Kim Jong Un.

“Realisht këto janë deklarata të papjekura, nuk janë të një lidershipi. Fatkeqësisht nëse e marrim të kaluarën këto janë deklarata të liderëve të regjimeve, nëse kish thënë Kim Jong Un apo në ndonjë shtet tjetër kish ndodhë një deklaratë e tillë ndoshta ish pranu, por nuk pranohet në Kosovë, nuk pranohet në Ballkan, nuk pranohet në pjesën e Evropës, nuk pranohet në një vend ku është demokraci e re siç është Kosova”, ka thënë Beqa për Front Online.

Sipas tij, zhduka nga Vetëvendosja është përmendur qysh në zgjedhjet lokale, kur thonin se do t’i fitojmë 34 komuna.

Beqa, thotë se nëse vendi shkon në zgjedhje Vetëvendosja nuk do të del më parti e parë.

“Ne po i kërkojmë zgjedhje, i ka numrat me na qu në zgjedhje, ta fton një seancë të jashtëzakonshme dhe ta rrëzojmë qeverinë edhe po shkojmë në zgjedhje dhe do ta shohim kush zvogëlohet e kush rritet. Unë jam shumë optimist që Kurti e din që nuk ka shanca më me dal partia e parë”, ka shtuar ai.