Ministri i emëruar nga Kurti: Kush është Ivan Milojevic i Listës Serbe, që dikur punonte në zyrën e Haradinajt

Dy ministri në Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti do të drejtohen nga anëtarë të Listës Serbe. Dalibor Jevtic tashmë është në krye të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, ndërkaq Ministria për Zhvillim Rajonal ‘i përket’ Ivan Milojevic. Ky i fundit kishte punuar edhe në Zyrën e Ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, si drejtror i Zyrës për Çështje të Komuniteteve.

Ndonëse Kryeministri i ri Albin Kurti më herët kishte deklaruar se do ‘të ishte tradhëti’ ndaj Kosovës t’i japë ministri për të udhëhequr Listës Serbe, ai u dha këtyre atë të Komuniteteve dhe Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.

Ministria për Komunitete dhe Kthim tashmë do të drejtohet nga Dalibor Jevtic, anëtari ‘besnik’ i Listës Serbe më herët kishte qenë Ministër për Zhvillim Rajonal.

Por e njëjta tash do të drejtohet nga një bashkëpartiak i Jevticit, e që është Ivan Milojevic.

Ministri i ri për të cilin dihet pak, e që është ‘fantazmë’ edhe nëpër rrjete sociale, ka punuar edhe më herët nëpër Institucione të Republikës së Kosovës.

Ivan Milojevic për disa vite ka qenë i punësuar në Zyrën për Çështje të Komuniteteve që i përket asaj të Kryeministrit, atë kohë Ramush Haradinajt, shkruan Gazeta Metro.

Ai sa ka mbajtur këtë post kishe marrë pjesë në konferenca e takime të ndryshme, ndërsa në një fotografi shihet edhe krahas Shefes së Zyrës së BE’së, Natalyia Apostolova.

Në fakt, kjo është një prej fotografive të pakta të tij si zyrtar i Qeverisë së Kosovës, ndërsa nuk ka të dhëna të tjera rreth tij.

Ndryshe, Qeveria Kurti e përbërë nga koalicioni VV-LDK është votuar dje nga deputetët e Kuvendit të Kosovës më 66 vota pro dhe 10 abstenime.

Ky koalicion i ka siguruar secilës parti nga 6 ministri, Vjosa Osmanit të LDK’së postin e Kryeparlamentares, si dhe tre ministri për partitë e komuniteteve pakicë./gazetametro.net