Ministri Krasniqi tregon pse e lëshoi mbledhjen e Qeverisë

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, është deklaruar pas daljes nga mbledhja e Qeverisë.

Në një prononcim Express, Krasniqi ka deklaruar se nuk e ka lëshuar mbledhjen e Qeverisë për shkak të pikës së rendit të ditës të cilën e ka propozuar dhe kryeministri Hoti e ka shtyrë për mbledhjen e ardhshme.

“S’kishte arsye për ta shtyer atë pikë të rendit të ditës. E kam ngritur shqetësimin që po shtyhen pikat, ky është investitor i brendshëm, është tatimpagues i rregullt. Për këtë pikë kanë kaluar të gjitha interpretimet ligjore, qe një muaj e gjysmë është në zyrën e Kryeministrit. Nuk e kam lëshuar mbledhjen për këtë arsye, megjithatë nuk është në rregull të shtyhen pikat e rendit të ditës”, ka deklaruar Krasniqi.

Krasniqi tha se e kishte bërë të ditur para fillimit të mbledhjes se nuk do të ishte aty deri në fund, pasi kishte një takim të cilin e kishte caktuar më herët.

“I kam lajmëruar më herët se e kam një takim të cilin e kam caktuar më herët”, ka deklaruar Krasniqi.

Kryeministri Avdullah Hoti tha se do të kujdeset që kjo pikë të futet në rend dite në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, megjithatë, kjo nuk i pëlqeu ministrit Krasniqi.

Ai ka kundërshtuar këtë kërkesë duke thënë se gjithçka është në rregull që të votohet sot.

“Biseduam për këtë çështje që të shtyhet për mbledhjen e ardhshme dhe jo që do të prishte punë, por është shumë interesant se nga data 1 shtator MTI e ka bërë kërkesën që të futet në rend të ditës dhe janë kryer të gjitha procedurat ligjore dhe nuk shoh arsye të shtyhet për mbledhjen tjetër. Është pikë me rëndësi edhe për neve edhe për investitorët strategjikë. Kemi kërkesa edhe nga ambasadat, pse është vonuar kjo pikë e rendit të ditës”, ka deklaruar Krasniqi.

Por, kryeministri Avdullah Hoti, tha se nuk bëhet vonë që kjo të votohet në mbledhjen e radhës.

“Të kuptoj ministër, por besoj që të shtyhet për mbledhjen tjetër nuk është ndonjë vonesë e madhe dhe I qartësojmë të gjitha çështjet me këtë pikë. Unë e marr për obligim që të kujdesemi që të qartësohen të gjitha çështjet që kjo pikë të jetë në rend të ditës”, ka deklaruar Hoti.