Ministri Vulin frikësohet nga fjalët e Edi Ramës

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin ka reaguar rreth deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që Kosova dhe Shqipëria të kenë një president të përbashkët.

“Shqipëria e madhe është kërcënimi më i madh për paqen në Ballkan. Ideja që të gjithë shqiptarët të jetojnë në një shtet dhe të kenë një president të përbashkët, janë dëshmi që një Shqipëri e madhe të ndalet, ka thënë Vulin.

Vulin gjithashtu ka thënë se përhapja e Shqipërisë së madhe duhet të ndalet në Kosovë.

Kujtojmë se, kryeministri Edi Rama dje në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës kishte deklaruar se Kosova dhe Shqipëria në të ardhmen mund të kenë një president të përbashkët kombëtar.

“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme ,e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, po pse jo një president simbol të unitetit kombëtarë dhe një politikë kombëtare të sigurisë”, kishte thënë Rama duke shtuar se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet. “Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i qëllueshëm në rrafshin e racionales, por historia na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet”, kishte deklaruar ndër të tjera kryeministri Rama.