Ministria e Mbrojtjes mbajti mbledhje komemorative për Sylë Zhitinë

Në organizim të Kabinetit të ministrit, sot në Ministrinë e Mbrojtjes u mbajtë mbledhja komemorative për zyrtarin e Ministrisë së Mbrojtjes Sylë Zhitinë.

Në këtë mbledhje morën pjesë ministri i mbrojtjes, Anton Quni, zëvendës ministri i mbrojtjes, Enver Dugolli, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretari i përgjithshëm Faruk Geci, zyrtarë dhe oficerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së si dhe zyrtarë të NALT-it. Në mbledhje morën p jesë edhe familjarët e të ndjerit, respektivisht i biri Dritëroi me bashkëshorten e tijshkruan Indeksonline.

Në fjalën e tij, Ministri Quni, shprehu tronditjen dhe dhimbjen e madhe që shkaktoi ndarja nga jeta e Sylës, si humbje e madhe jo vetëm për familjen por edhe për ne si institucion dhe shoqërinë në përgjithësi.

Në vazhdim, Ministri Quni përkujtoi burimin e frymëzimit, brumosjes e kalitjes si veprimtar, patriot, luftëtar e njeri i përkushtuar me të gjithë qenien e tij, gjatë gjithë jetës, në përpjekje për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Ishin pra, paraardhësit dhe bashkëkohësit e tij duke përmendur gjyshërit dhe të vëllain, heroin e kombit Afrim Zhitinë.

Në fund, Ministri Quni theksoi se të gjitha këto vlera të Sylës reflektuan edhe në karakterin dhe personalitetin e tij moral dhe profesional dhe mundësuan që ne Ministria e Mbrojtjes të kemi në radhët tona një mik e bashkëpunëtor me dinjitet e integritet te lartë. “Vdekja e ndau vetëm fizikisht, sepse Syla do të jetë gjithmonë me ne, miqtë, bashkëpunëtorët dhe kolegët e tij.

Ne bashkë me Sylën do të rrugëtojmë përpara deri në realizimin e plotë të idealit të tij, Afrimit, paraardhësve të tij dhe të gjithë veprimtarëve, dëshmorëve dhe martirëve të Kombit për ushtri të fortë, shtet të zhvilluar e komb prosperues” tha në fund Ministri Quni.

Në emër të familjes, të pranishmit i përshëndeti, i biri i të ndjerit, Dritëroi duke falënderuar Ministrin Quni për telegramin e ngushëllimit dhe organizimin e kësaj mbledhje. Gjithashtu, ai shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë miqtë dhe bashkëpunëtorët e të atit nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK për vlerësimin e lartë për të dhe që po u qëndrojnë pranë në këto çaste të rënda.