Ministria e Mjedisit ia refuzon INPO-s qasjen në dosjet e hidrocentraleve

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ia ka refuzuar organizatës INPO qasjen në dokumente publike lidhur me procesin e ndërtimeve të hidrocentraleve në Shtërpcë.

Nëpërmjet një komunikate për medie, INPO ka sqaruar se paqartësive të cilave u ka kontribuar jotransparenca e organeve publike në nivelin qendror dhe komunal rreth ndërtimit të hidrocentraleve në Komunën e Shtërpcës po vazhdon t’u kontribuojë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).

“Kjo Ministri ka refuzuar qasjen e INPO-s në dokumentet publike të dosjeve të këtyre hidrocentraleve. Për këtë arsye, INPO reagon kundër kufizimit të qasjes në dokumente publike, respektivisht qasjes në pëlqimet, lejet, licencat që janë dhënë sipas kompetencës ligjore të MMPH-së për ndërtimin e hidrocentraleve në pellgun e lumit Lepenc”, thuhet në komunikatën e INPO-s.

Kjo OJQ ka njoftuar se më 8 korrik të këtij viti, nëpërmjet postës elektronike ka parashtruar kërkesë për qasje në dokumente publike në MMPH. Mirëpo, edhe pse kanë kaluar 11 ditë nga data e parashtrimit të kërkesës, MMPH-ja nuk i është përgjigjur INPO-së, duke mos ofruar asnjë informatë zyrtare rreth statusit të kërkesës.