Ministria e Shëndetësisë pa Ministër “ Qeveria po i ruan vendin Arben Vitisë”

Që nga 13 marsi i vitit 2020 kur në Kosovë u shfaq rasti i parë me COVID-19, ministria e Shëndetësisë ishte ballafaquar me probleme të shumta në luftimin e këtij virusi.

Aktualisht, kjo ministri e cila kryen detyra të shumta në shërbim të qytetarëve po udhëhiqet nga ushtruesja e detyrës Dafina Gexha Bunjaku, që nga largimi i ish ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia i cili liroi këtë pozitë për të kandiduar për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Partitë opozitare mos emërimin e një ministri të Shëndetësisë e kanë konsideruar si neglizhencë.

Sipas deputetit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, mos emërimi i një posti të tillë po bëhet për arsyeje politike.

“Ky është kalkulim i qeverisë, respektivisht i Lëvizjes Vetëvendosje për të ja ruajtur vendin Arben Vitisë, kur do që dështon në garën për Prishtinën le të kthehet atje nuk ka të bëjë me çështje të cilat kanë të bëjnë me shëndetin e qytetarëve këto janë kalkulime ekskluzivisht politike”, deklaroi Haxhiu për Albanian Post.

Haxhiu, thotë se edhe gjendja e cila ka qenë para disa muajve ka treguar papërgjegjësi të ministrisë së Shëndetësisë e cila udhëhiqet nga partia në pushtet.

“Ministria e Shëndetësisë gjendja e cila ka qenë gjatë muajve të verës ka treguar një papërgjegjësi të kësaj qeverie dhe sa i përket trajtimit të problemit të qeverisë, por edhe problemit të shëndetit të qytetarëve, situata aktuale tregon që prioritet për këtë qeveri është pushteti jo mirëqenia dhe shëndeti i qytetarëve të Kosovës”.

Edhe deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj nuk po e sheh funksionimin e ministrisë së Shëndetësisë të duhur në një formë të tillë.

“Nuk është mirë që të funksionojë ministria bazuar në ushtrues të detyrës, në veçanti në kohën kur jemi ende në pandemi por mos të harrojmë që ushtruesi mund të jetë shumë efikas dhe shumë i mirë”, deklaron Dreshaj për Albanian Post.

Sa i përket asaj, që qeveria e Kosovës duhet të dal me një emërues për këtë ministri, Dreshaj thekson se largimi i Vitisë nga posti i tij është parë shumë jo serioz.

“Kjo është çështje politike, mirëpo unë mendoj që ka qenë shumë jo serioze që në vlugun e pandemisë të kandidohet ministri i Shëndetësisë, njeri kyç që duhet të menaxhoj pandeminë të kandidoj për kryetar komune”.

Albanian Post ka dërguar pyetje edhe në zyrën e kryeministrit lidhur me këtë çështje, por që të njëjtit nuk janë deklaruar.

Sipas ligjit institucionet shtetërore kanë të drejtë të funksionojnë me ushtrues detyre 3 muaj.

Më 1 tetor ish ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia njoftoi për dorëheqjen e tij nga ky post, për t’u fokusuar në garën për Prishtinën.

Këtë vendim tha se e ka marrë në bashkërendim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje.

Duke bërë të ditur se ushtruese e detyrës së ministres së Shëndetësisë do të jetë Dafina Gexha-Bunjaku.

Ish ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në zgjedhjet lokale të 17 tetorit kishte marrë 35 mijë e 433 vota ose 42,33 për qind ndërsa kundër kandidatit i tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 24 mijë e 572 vota apo 29,35 për qind.

Të dy garojnë përsëri për kryetar të Prishtinës në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune që do të mbahet më 14 nëntor.

/Albanianpost.com