Ministria e Shëndetësisë publikon masat e marra për parandalimin e koronavirusit

Në kuadër të masave për koronavirusin në vendin tonë Task- Forca e strukturave shëndetësore dhe ekspertëve është mbledhur sërish ditën e sotme dhe ka raportuar për vijimin e masave të marra për parandalimin dhe kontrollin e koronavirusit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka rikonfirmuar se deri tani në vendin tonë nuk ka asnjë rast të prekur me koronavirus dhe rreziku për depërtimin e virusit në Shqipëri vazhdon të mbetet i ulët.

Gjatë raportimit të masave të marra u deklarua se, në çdo pikë kufitare janë ngritur dhoma të posaçme për monitorimin e rasteve te dyshuara. Është përcaktuar rruga që ndjek çdo person që dyshohet që është i kontaminuar. Çdo rast i dyshuar, i mundshëm ose i konfirmuar me CoV e ri, do raportohet menjëherë pranë NJVKSH përkatëse dhe me pas prej NJVKSH ose direkt pranë ISHP me formularin rutinë të njoftimit.

Kjo procedurë duhet të kryhet menjëherë dhe brenda 24 orëve menaxhimi i transportit të rasteve do të kryhet nga Urgjenca Mjekësore Kombëtare. Çdo rast do të hetohet sipas udhëzimit përkatës, me qëllimin ndjekjen e kontakteve të rastit të dyshuar, të mundshëm ose të konfirmuar me 2019 n-CoV.

Në spitalin Infektiv në QSUT janë marrë masat me dhomat e izolimit të cilat janë pajisura me mjetet përkatëse që nga pjesa e aparateve respiratore të monitorimit edhe sistemin e gazrave mjekësor, si dhe mjetet personale mbrojtëse. Edhe pse rreziku mbetet  i ulët, MSHMS po forcon masat paraprake.

Në Institutin e Shëndetit Publik për furnizimin me kite reagentë për kryerjen e analizës së koronaviruseve. Deri tani janë testuar gjithsej katër raste, të cilat kanë rezultuar negative ndaj koronavirusit.

Po vijohet me trajnimet me strukturat shëndetësore, me përfaqësues të QKUM dhe NjVKSH në vend mbi parapërgatitjen për masat e kontrollit të infeksionit 2019 – nCoV ( koronavirusi i ri). Po ashtu është menduar organizimin E karantinës nëse do të jetë e nevojshme.

Eshtë rritur shkëmbimi i informacionit (dhe behet në kohë reale) mes strukturave të Ministrise së Shëndetësisë, si ISHP, ISHSH, QSUT dhe Spitali “Shefqet Ndroqi”. Mes ketyre strukturave ka një koordinim të masave bazuar mbi rekomandimet e OBSH.

Ministria e Shëndetësisë rekomandon qytetarët të cilët kanë udhëtuar së fundmi në Kinë dhe kanë shenjat e mëposhtme: kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje,  të telefonojnë urgjencën kombëtare 127./ATSH/