Minxhozi kërkon të ndihmohet Shqipëria edhe online përmes e-albania.al/dhuro (video)

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, është shprehur falënderuar për gjithë ndihmën që Kosova i ka ofruar shtetit shqiptar në tragjedinë e tërmetit.

Por ai ka mbetur i habitur me një fakt të të rinjve shqiptarë të Kosovës, njofton Klan Kosova.

“Interesante është pjesëmarrja e brezit të ri e 20 vjeçarëve në këtë aksion. Janë jashtë mase aktivë, janë të ri dhe të reja që e ndjejnë në shpirt atë që ka ndodhur në Shqipëri dhe secili prej tyre thotë se ne kemi bërë pak me atë se çka ka bërë Shqipëria në kohën e luftës. Por ka kaluar 20 vjet dhe pas kësaj kohe kujtohet sikur ka ndodhur dje dhe kjo është shumë e madhe. Një solidaritet i jashtëzakonshëm dhe një ndjesi e jashtëzakonshme”.

“Qeveritë kanë pak për të bërë për të mobilizuar njerëzit sepse ata janë të mobilizuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Të gjitha institucionet e Kosovës kanë qenë në gatishmëri të plotë për t’u përgjigjur të gjitha thirrjeve që janë bërë”.

“Trupa e parë ushtarake që ka shkuar në Shqipëri është bërë gati për 40 minuta që do të thotë se shkalla e alarmit ka qenë maksimale, shkalla profesionale ka qenë maksimale e gjithashtu e profesionalizimit dhe shpejtësia”.

Minxhozi në Info Magazine ka treguar se si mund të ndihmohet financiarisht për riparimin e dëmeve të tërmetit që pas të shkatërruara shumë ndërtesa dhe shtëpi.

“Ne duam që të gjitha ndihmat të kanalizohen në një drejtim. Qeveria ka krijuar mekanizma që t’u jepet mundësia qytetarëve për të dhënë donacione. Ne jemi fokusuar për të kaluar emergjencën me batanije, ushqime dyshekë, çadra e të tjera, por tani ne mendojmë që të kalojmë në një fazë tjetër. Do të ishte e mirëpritur që ne të kishim mbështetje financiare, sidomos nga institucionet. Secili që e gjen veten aty që të jep para aq sa mendon për të zbutur pasojat e kësaj katastrofe të madhe njerëzore”.

“Prandaj është bërë kjo e-albania.al/dhuro apo e-albania.al/donate dhe ka të gjitha mekanizmat brenda që kërkohen”.

Minxhozi tha se gazetarët në Kosovë këto ditë raportimin për katastrofën që solli tërmeti e kanë parë jo vetëm si detyrë profesionale, por edhe si shpirtërore.