Kurti për martesat mes gjinisë së njëjtë: Të drejtat e njeriut janë të secilit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit ka folur për Kodin Civil si dhe regjistrimin e bashkësive civile me gjini të njëjtë.

Ai ka ftuar deputetët ta votojnë Kodin Civil.

“Të drejtat e njeriut janë të secilit njeri. Gjithsecili është krijesë e Zotit dhe e natyrës. Këtë e thotë edhe Kushtetuta jonë dhe praktika e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut. Ju ftoj që sot ta votoni këtë Kod Civil”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë se është rregulluar pjesa statusore e personave fizik.

“Është rregulluar pjesa statusore për personat juridik. Janë rregulluar punët juridike kontratat, testamentet. Te familja, këtu duhet të theksojmë dy çështje të rëndësishme, është pasuria e përbashkët është caktuar të jetë e barabartë. Këtu risi është edhe ndalimi i martesave të hershme. Është një pikë e rëndësishme gjithashtu që është diskutuar e keqkuptuar që ka të bëjë me regjistrimin e bashkësive civile të personave me gjini të njëjtë. Në fund të fundit të drejtat e njeriut janë të drejtat e të gjithë njerëzve”, ka thënë ai.