Miratohet projektligji për vendosjen e çmimit tavan për produktet themelore

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin për çmimin e produkteve bazike në rast të veçanta të destabilizimit të tregut.

Projektligji u miratua me 63 vota për.

Projektligji për çmimet e produkteve themelore u miratua pasi tri herë më parë kishte dështuar.

Qeveria e ka arsyetuar këtë projektligj me rritjen e çmimeve dhe dyshimeve për abuzim për disa nga produktet esenciale.

Nga ana tjetër opozita ka kundërshtuar projektligjin duke thënë se cenon ekonominë e tregut të lirë.

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari ka njoftuar se produktet të cilat do kenë çmim tavan janë drithërat, mielli, gruri, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezë pule, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale, si dhe lëndët e drurit për djegie.