‘Mirë se vini në Bashkimin e Komunave Serbe’, Veriu zgjohet me parulla

Të katër komunat në veri të Kosovës janë zgjuar mëngjesin e sotëm me mesazhin “Mirë se vini në Bashkimin e Komunave Serbe”.

Në billborde dhe postera në mbarë Mitrovicën e Kosovës, Leposaviqin, Zubina Potok dhe Zveçanin janë parulla “Kjo është ZSO”, simbole, por edhe mesazhe në gjuhën angleze që promovojnë ZSO-në, shkruan RTS.

Këto mesazhe janë shfaqur në shëtitoren kryesore në pjesën veriore të Mitrovicës, si dhe në tabelat në hyrje dhe dalje në katër komuna.

Situata në Veri të Mitrovicës u tensionua pasditen e së dielës një ditë para se në Kosovë të niste organizimi i procesit për regjistrimin e targave ilegale në ato “RKS”, në të gjitha Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve.

Policia e Kosovës bëri të ditur se janë mbyllur pikat kufitare në Jarinje dhe Bernjak, për shkak të bllokimit të rrugëve dhe u bëri thirrje për qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare.

Kjo bëri që qeveria e Kosovës të shtyjë vendimin për pajisjen e qytetarëve serbë me dokumente dhe targa kosovare në territorin e Kosovës për në 1 shtator 2022.