Neymari ia siguron fitoren PSG-së, edhe pse fishkëllehej gjatë ndeshjes (Video)

Neymari, që u prit nga disa tifozë me shumë fishkëllima e nga disa me duartrokitje, arriti t’ia sigurojë Paris Saint-Germainit fitoren, në ndeshjen e tij të parë me klubin francez në këtë sezon të ri.

Paris Saint-Germaini arriti të sigurojë fitore me rezultat 1 – 0 në ndeshjen kundër Strasbourgut në minutën e 92-të, që u zhvillua sonte në stadiumin “Parc des Princes”, në kuadër të xhiros së katërt në sezonit të ri të Ligue 1. Autor i golit ishte Neymar.

Pas një vere plot spekulime për të ardhmen e tij – të cilat shpeshherë i nxiti vetë Neymari dhe stafi i tij – braziliani u kthye në skuadrën e PSG-së për herë të parë sot, pasi që në katër ndeshjet paraprake kishte mbetur jashtë skuadrës, shkaku i dëshirës për t’u larguar.

Tifozët e Paris Saint-Germainit kishin pritur më shumë nga lojtari që e kishin transferuar për 222 milionë euro para dy vjetëve, mirëpo pritja për Neymarin në Parc Des Princes nuk ishte e tillë. Përderisa disa tifozë e duartrokitën atë për goditjet e tij, në stadium mbizotëronin fishkëllimat drejt tij.

Shumë lojtarë dhe trajneri i PSG-së kanë thënë gjatë ditëve të fundit se Neymari do të ketë mundësi ta rifitojë dashurinë e tifozëve nëse arrin të performojë në fushë, dhe braziliani e bëri pikërisht këtë, duke shënuar pak momente para fundit të ndeshjes.

https://streamable.com/fpf6p