Mirëpritet nisja e hapjes graduale të bizneseve pas 4 majit

Fillimi i muajit tjetër pritet të shënojë kthimin e funksionimit të ekonomisë.

Pas pezullimit për rreth 7 javësh, bizneset gradualisht do t’i hapin dyert për klientët e tyre.

Dyqanet e këpucëve, të tekstilit e tregtisë me pakicë, pritet të jenë ndër bizneset e para që do të hapen.

Në Ministrinë e Ekonomisë nuk kanë dhënë detaje se si planifikohet të bëhet hapja e bizneseve.

Por, për përfaqësuesit e tyre ky është mesazh optimist për bizneset, raporton KOHA.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka kritikuar ndaljen e punës në sektorin e ndërtimit, duke thënë se ky sektor do të duhej të hapej edhe më herët se të tjerët.

Hapja graduale apo e përnjëhershme, sipas kryetarit të Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, do të ndihmonte në minimizimin e pasojave ekonomike që kanë shkaktuar masat kufizuese të vendosura nga Qeveria.

Sipas një ankete që odat ekonomike e kanë publikuar këto ditë, mbi 60 për qind e ndërmarrjeve kanë deklaruar se pandemia Covid-10 rrezikon mbijetesën e tyre.

Sektorët më të rrezikuar janë ai i ndërtimtarisë, me 75 për qind, përcjellë nga sektori i shitjes me pakicë, me 57.3 për qind, prodhimtaria me 56.6 për qind dhe tregtia me shumicë, me 54.7 për qind.