Mjekët kërkojnë që koeficienti i pagës të jetë 132 euro

Zyrtarët qeveritarë kanë thënë se brenda muajit janar do të bëhen të ditur koeficientët e pagave për zyrtarët publikë.

Megjithatë, nga këta 80 mijë punonjës, mjekët po kërkojnë që i njëjti koeficient mos të jetë nën 132 euro.

Kjo tashmë i është konfirmuar ministrit Vitia edhe nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

Pra, sipas tyre, paga nuk duhet të jetë nën vlerën prej 50% të minimales së propozuar 264 euro.

Nënkryetari i FSShK-së, Blerim Delija, ka thënë se sot janë takuar me ministrin Vitia nga i cili dhe kanë kërkuar, të iu tregoj për vlerën e koeficientit.

Megjithatë, ai shtoi se kjo përgjigje nuk u mor, pasi siç tha ai, as vet ministri Vitia nuk është në dijeni.

Delija thotë se i kanë treguar dhe ministrit Vitia për qëndrimin e FSSHK-së lidhur me koeficientin për të cilin po kërkojnë që të mos jetë nën vlerën prej 132 euro.

“Ne sot e kemi takuar ministrin Arben Vitia. Ministri tha se ai vet personalisht nuk e di sa është koeficienti. Por qëndrimi i Federatës është se nëse koeficienti do të jetë nën 132, do të jetë shumë problem për ne dhe do të shikojmë mundësi nëpërmjet organeve, se cilat do të jenë veprimet. Për momentin as ministri nuk e di vlerën e koeficientit, sipas deklarimit të tij sot në takimin që patëm. Kërkesa e federatës është që koeficienti mos të jetë nën 132 euro, apo 50 për qindëshi i vlerës së pagës minimale”, tha ai për Indeksonline.