Mobilizimi në një kohë rekord i ushtrisë së Kosovës dhe nisja drejt Durrësit

Nuk mund të themi se na kthyen borxhin, pasi borxhi mes vëllezërve nuk ekziston, por mbështetja nga shqiptarët e Kosovës për të prekurit nga tërmeti ka qene e pafundme. Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, në pikë të shkurtra e ka shpjeguar procesin nga marrja e informatës për tërmete në Shqipëri e deri tek mobilizimi i njësive përkatëse të FSK-së për t’u dalë në ndihmë vëllezërve dhe motrave të tyre shqiptarë.

Ai ka treguar se vetëm brenda dy orëve njësitë e kërkim-shpëtimit të FSK-së kanë qenë të gatshme që t’i ofrojnë shërbimet e tyre në vendet e goditura nga tërmetet.

Gjenerali u shpreh:

Dua fillimisht të shprehi ngushëllime për të gjitha viktimat e prekura nga tërmetet në Shqipëri. Fatkeqësitë ndodhin, por është më rëndësi që solidariteti nuk ka munguar atëherë dhe tani. Rrugëtimi jonë nuk ka qenë i lehtë dhe ne kemi ardhur këtu ku jemi. Jam shumë krenar për kontributin që kemi dhënë në këtë fatkeqësi.

Në momentin që kam marrë informacionin për tërmetet në Shqipëri ka qenë ora 5:00 e mëngjesit. Pastaj kontaktuar me drejtorin e Policisë këtu në Kosovë, por edhe me homologun tim në Shqipëri për të marrë më shumë informacione. Nga ai moment unë kamë ngritë njësitë e specializuara për atë mision në gjendje gatishmërie.

Në moment të parë e kam kontaktuar ministrin e FSK-së, kemi shkuar te kryeministri – për një kohë shumë të shkurtër informacioni është shpërndarë edhe tek kryeministri dhe presidenti”.

Gjenerali tregon se kanë bërë gjithçka që ishte e mundur në një kohë të shkurtër, pasi janë njoftuar se gjendja në Shqipëri ishte e jashtëzakonshme.

Ai shtoi:

Gatishmëria e forcave të Kosovës ka ndodhur brenda dy ore. Në orën 8:00 të mëngjesit kemi qenë të gatshëm që të lëvizim. Në ora 08:15 kam pasur takim me kryeministrin më të cilin kam kontaktuar edhe më herët në telefon. Nga kontakti me homologun në Shqipëri kam mësuar që gjendja ka qenë e jashtëzakonshme. Menjëherë e kemi ditur se cilat njësi duhet të veprojnë të parat dhe unë e kam ngritur gatishmërinë e tyre. Në ora 11:00 kemi qenë në Shqipëri.”