Molliqaj: Kurti nuk e refuzoi por e shtyu takimin me Vucic për arsye populiste

Kryetari i PSD’së, Dardan Molliqaj ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurtit, duke thënë se Kurti nuk e ka refuzuar takimin me Vucicin, por e ka shtyrë për arsye populliste.

Molliqaj ka shkruar në Facebook, se Kurti nuk e ka refuzuar takimin me Vucic’in por se e ka shtyrë për arsye populiste, ngase nuk kishte asnjë arsye politike parimore për mos pjesëmarrje.

“Kurti nuk e refuzoi takimin me Vuçiqin, por e shtyu atë për arsye populiste. Ai nuk dha asnjë arsye politike e parimore pse nuk merr pjesë në këtë takim. Natyra e arsyetimit ishte protokolare”, ka shkruar Molliqaj.

Postimi i plotë:

Ai dëshiron të DUKET, por jo edhe të JETË, ai që ishte.

Kurti nuk e refuzoi takimin me Vuçiqin, por e shtyu atë për arsye populiste. Ai nuk dha asnjë arsye politike e parimore pse nuk merr pjesë në këtë takim. Natyra e arsyetimit ishte protokolare.

Kurti tashmë ka zbritur tek simbolikat si zëvendësim për përmbajtjen. Ai dëshiron të duket, por jo edhe të jetë, ai që ishte. Shtyrja është në funksion të imazhit prej një politikani të qëndresës. Por këtij imazhi i ka rrjedhur përmbajtja e nevojshme për rezistencë. Kurti tashmë është duke e përgatitur ekipin negociator, disa nga të cilët janë emra që i takojnë historikut të dialogut që Lëvizja e Kurtit e kundërshtoi nga fillimi.

Ai tashmë ka pranuar kornizat politike dhe përmbajtjen e dialogut. Jo-jat e vogla vijnë pas pranimit të madh.