Molliqaj për draftin e Ramës: Është argat për Kurtin, çdo veprim në themelimin e Asociacionit është në dëm të Kosovës

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka deklaruar se dorëzimi i një draft-statuti nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është synim për ta shpëtuar kryeministrin Kurti dhe për ta dëmtuar Kosovën, raporton Ekonomia Online.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka thënë se draft-statutin i ka dorëzuar presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.E këtë gjë, Molliqaj e sheh si mënyrë për t’i riparuar marrëdhëniet e Kurtit me faktorin ndërkombëtarë.

Molliqaj konsideron se Kosova duhet të shpëtohet nga Asociacioni edhe nga kryeministri Kurti. Ai thotë se çdo veprim në themelimin e Asociacionit është shpëtim për Kurtin e dëm për Kosovën.

“Parimisht duhet të dyja duke e ndihmuar e ndërhy për interesa të shteteve respektive sepse jemi një komb. Madje Shqipëria e ka obligim edhe kushtetues, në preambulë kujdesin për shqiptarët jashtë kufijve administrativ të saj. Mund të kesh motiv të mirë por jo gjithmonë motivi të amniston prej rezultateve që i ke. Kurti sot nuk ka nevojë për me u shpëtu, sot ka nevojë Kosova me u shpetu. Për me u shpëtu Kosova duhet të shpëtohen edhe nga Asociacioni edhe nga Kurti”, u shpreh Molliqaj, teksa thotë se Shqipëria duhet të insistojë për një marrëveshje të përhershme Kosovë-Serbi.

“Këto dyja tashmë janë lidh me njëra-tjetrën dhe janë projekte të pandashme me njëra-tjetrën, prandaj veprimi i kryeministrit Rama mua më duket ndonëse mund të ketë motive të mira, si rezultat e ka me e shpëtu Kurtin. Pra kjo është argat për Kurtin, jo për Kosovën. Për Kosovën do të ishte argat sikur Shqipëria do të dilte me një qëndrim që Kosovës dhe Serbisë i vyen një marrëveshje e përhershme, që ka një kompromis brenda por që marrëveshja është e përhershme. Jo tash ta bëjmë Asociacionin për me e shpëtua Kurtin nga marrëdhëniet me ShBA-të, sepse ShBA e bëri të qartë që ne kemi problem me kryeministrin e Kosovës e jo me Kosovën, prandaj Asociacioni i bën dëm Kosovës e shpëton Kurtin. Çdo veprim në themelimin e Asociacionit prej kujtdo që vjen është me shpëtu Kurtin e me dëmtu Kosovën”, u shpreh Molliqaj.