SBASHK-u nuk dorëzohet, do të bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Themelorë në Prishtinë, e cila ka refuzuar si të pabazuar padinë e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), duke e lënë në fuqi vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), për zëvendësimin e orëve të humbura me rastin e grevës.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se konsiderojnë që ky vendim ka qenë i ndikuar politikisht.

“Pasi që Gjykata ka vendosur pro MASHT-it dhe e ka hedhur poshtë padinë tonë, konsiderojmë që gjykatësi ose gjykatësja ka vendosur në bazë të emocioneve momentale, ose ka vendosur e ndikuar nga politika e që është normale. Ne nesër do të ulemi me juristin që e kemi, nëse e ka këtë material do ta analizojmë”, ka thënë ai për Telegrafin.

“Pastaj ne do ta dërgojmë ankesën në Gjykatën e Apelit, sepse konsiderojmë se ne jemi në rrugë të drejtë, pasi që edhe ligji për grevat dhe konventat ndërkombëtare nuk obligojnë zëvendësimin e ditëve të humbura. Do të ishte rasti i parë edhe në Kosovë edhe në botë që do të ndodhtë një gjë e tillë”, ka deklaruar ai.

Jasharaj ka theksuar se ky vendim i Gjykatës është goditje kundër grevës.

“Edhe sektorët tjerë në Kosovë kanë bërë greva, por nuk i kanë zëvendësuar ditët e humbura. Nëse Gjykata ka vendosur një gjë të tillë, është një goditje kundër grevës, që është elementi i vetëm përmes të cilit sindikatat tregojnë pakënaqësi, dhe tentojnë t’i arrijnë të drejtat dhe objektivat e tyre”, është shprehur ai.

Ndër të tjera ai ka thënë se qëndrojnë prapa vendimit të Këshillit të SBASHK-ut për mos zëvendësim të orëve të humbura.

“Ne do ta respektojmë vendimin e Këshillit drejtues të SBASHK-ut, i cili e ka thënë se orët e humbura në grevë nuk do të zëvendësohen. Do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi në shkallët tjera të Gjykatës të bindur që kemi të drejt. Nesër do të konsultohemi me juristin dhe stafin ku do të dalim publikisht që t’iu tregojmë çfarë do të bëjmë në hapat tutje”, ka deklaruar Jasharaj.

Ndryshe në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, thuhet se vendimi i MASHT-it është i drejtë dhe i ligjshëm dhe se kompensimi i orëve të humbura me rastin e grevës ka për qëllim zhvillimin arsimor të nxënësve dhe aftësimin e tyre social dhe profesional, kjo në përputhje me parimet e përgjithshme të arsimit parauniversitar të përcaktuara me Ligjin për Arsimin Parauniversitar.