Molliqaj për vazhdimin e mandatit të Speciales: Më mirë ta bëjë OKB sesa vet Kosova

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se nuk ka kuptim që t’i vazhdohet mandati Gjykatës Speciale.

“Kjo gjykatë nuk ka për të vendosur drejtësi as për krimet që duhet të gjykohen”, ka thënë Molliqaj, njofton Klan Kosova.

“Historia ka dëshmuar se ka pasë momente kur vet ndërkombëtarët kanë thënë se është vendimi i juaji dhe mbajeni përgjegjësinë për këtë. Nëse Bashkësia Ndërkombëtare e sheh të domosdoshme, më mirë është të ndërtohet gjykata nga Organizata e Kombeve të Bashkuara sesa ne vet ta ndërtojmë gjykatën”.

“Luftën e Kosovës nuk e trajton si luftë por si konflikt ku një grup kriminal – UÇK, ka vrarë, plaçkitur, djegur…, si grup kriminal. Për Kosovën do të ishte më mirë që UÇK- të trajtohej si organizatë terroriste, jo si organizatë e kriminalizuar”.

Molliqaj në Rubikon është shprehur se Serbia nuk është duke e bartur damkën e krimeve të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

“Më mirë të bëhet nga një organizëm i jashtëm sesa vet. Nëse diçka është e keqe, është më mirë që të keqen ta imponojë dikush tjetër sesa ti vet. Historia do të shkruhet që Kosova ka vendosur ta trajtojë luftën e vet çlirimtare si grup kriminal”.

“Mëkatin e madh në këtë pjesë e ka PDK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerët. Mëkati fillestar është i PDK-së. Sot është vazhduar edhe nga partitë tjera që dëshirojnë këtë gjykatë, VV sot i fërkon duart për vazhdimin e kësaj gjykate për arsye politike”.