Molliqaj: Të gjithë kanë dëshirë të bashkëqeverisin me LDK-në, janë të dëgjueshëm

Dardan Molliqaj i PSD-së, në interaktiv të KTV-së ka thënë se ajo që është e sigurt aktualisht është se koalicioni i kësaj partie me AAK-në është i pari, dhe se sigurisht që askush nuk do të mund të qeverisë i vetëm.

“Sigurisht na duhen bashkëpunime paszgjedhore, për shkak të dinamikës dhe ndarjes që është bërë duke se do të kemi 4 blloqe që nuk do të ketë dallim shumë të madh mes vete. Mund të ketë një dallim me 5-6 deputetë”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka thënë se me aq sa ka parë edhe nga AAK-ja dhe Ramush Haradinaj ka vullnet të qartë që PDK-ja do të jetë në opozitë.

“Mendoj se ka ardh momenti për këtë. Nuk ka kuptim me dal të parët në zgjedhje dhe me marrë PDK-në në opozitë. Të gjithë kemi bërë përpjekje dhe jemi angazhuar por vetëm AAK-ja, me veprimet e kryeministrit Haradinaj dhe e ndihmuar nga ne ka bërë të mundshme që PDK-ja të dalë në opozitë”, ka thënë Molliqaj.

Ish-partinë e tij, Vetëvendosjen, ai e ka quajtur PDK 2.0.

“As PDK-ja e as PDK 2.0 e kanë të pamundshme të arrijnë koalicione, njëra për atë që ka bërë e tjetra për atë që mund të bëjë. Asnjëra nuk kanë aftësi me ndërtu marrëdhënie të qëndrueshme me askënd”, ka thënë Molliqaj.

Duke folur për ish-kolegun e tij, Galauk Konujfca, ka thënë se ai ka “logjikë totalitare” duke marrë shkas nga një debat i një nate më parë se cili personalitet politik është i mirë për cilën pozitë.

“Po më pyete mua, do t’i filloja negociatat për koalicion paszgjedhor me LDK-në. Kjo është një preferencë e lehtë e imja”, ka thënë Molliqaj. “Krejt kanë dëshirë të qeverisin me LDK-në se është parti që s’ta prish shumë, jo për shkak të kualitetit por për shkak se është e dëgjueshme”, ka shtuar më tej ai.