Molliqaj thotë se nuk ka besuar që Vetëvendosje i fiton zgjedhjet

Ish-deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka folur për herë të parë pas rezultatit të zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit.

Molliqaj ka thënë se është fakt që Lëvizja Vetëvendosje është parti e parë dhe se nuk beson që kjo renditje do të ndryshojë edhe pas votave të diasporës.

Ai ka thënë se personalisht nuk ka besuar që Vetëvendosje do t’i fitojë zgjedhjet, ndërsa shton se deklaratat e tij të mëparshme janë bazuar në sondazhe të besueshme që nuk e shihnin Vetëvendosjen si parti e parë.

“Ne i kemi humbur zgjedhjet shumë më herët sesa të paraqitemi në fushatë. Vetëvendosje arriti t’i bind qytetarët me narracionin e saj”, ka thënë ai në Rtv Dukagjin.

Zyrtari i PSD-së thotë se ata u dëmtuan pasi heshtën ndaj akuzave të përsëritura të Vetëvendosjes kundër nesh se gjoja jemi të shitur të PDK-ja etj.

“Edhe votimin që i bëri buxhetit PSD-ja ka ndikuar shumë keq. Një pjesë shumë e vogël e kanë kuptuar këtë si gjë pozitive”.

Molliqaj ka thënë se edhe koncentrimi i koalicionit AAK-PSD në temën e dialogut ka ndikuar në rezultatin e dobët elektoral, përcjell telegrafi.

“Qytetarët donin një ndryshim të figurave politike në Kosovë dhe këtë e bënë. PDK për herë të parë është e treta në zgjedhje që nuk ka qenë më parë”, tha ndër të tjera Dardan Molliqaj.