Molliqaj vizitë në OVL UÇK: Specialja nuk mund të bëjë drejtësi, duke dënuar Gucatin e Haradinajn e frikësuar të tjerët

Dardan Molliqaj, së bashku me një delegacion të PSD-së kanë vizituar sot drejtuesit e OVL të UÇK-së, raporton Fokusi.info.

Përmes një postimi në Facebook, Molliqaj ka thënë se Specialja nuk mund të vendosë drejtësi, duke dashur të disiplinojë Gucatin e Haradinajn e t’i frikësojë të tjerët.

Molliqaj ka shtuar se Specialja është e motivuar politikisht për të dënuar luftën çliruese të UÇK-së dhe se po shkel të drejtat dhe liritë e njeriut, për t’i arritur qëllimet e saj.

Postimi i plotë në Facebook:

Sot, së bashku me një delegacion të PSD-së, vizituam drejtuesit e OVL të UÇK-së.

Gjykata Speciale është e motivuar politikisht për të dënuar luftën çliruese të UÇK-së. Ajo po shkel të drejtat themeltare dhe liritë e njeriut e po shmang t’i jep qasje të barabartë të gjitha palëve në dokumentacione, pra barazi mes palëve, për të arritur qëllimin e saj përfundimtar.

Me një proces të tillë politik, të padrejtë e keqtrajtues, që në verdiktin e saj të parë vendosi të disiplinojë Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn të frikësojë të tjerët, nuk mund të ketë drejtësi. Gjykata Speciale duhet të mbahet përgjegjëse për këtë.