Molliqaj: ZPS po e ndjek UÇK-në, jo krimet në Kosovë

Veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë protestuar para bazës së EULEX-it në Fushë Kosovë, për të kundërshtuar bastisjet e Speciales të kryera ditët e fundit në Kosovë.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një prononcim për ATV-në, tha se ajo që ndodhi ditëve të fundit, sipas tij, ka qenë një plaçkitje e paligjshme e pronave të luftëtarëve të lirisë në Kosovë, e cila ka ndodhë nga Gjykata Speciale.

“Sa herë që një organ që është i thirrur për të vendosur drejtësi dhe ka të pamundur për të bërë një gjë të tillë, atëherë fillojnë përndjekjet e stigmatizimet. Ajo që ka ndodhë ditëve të fundit ka qenë një plaçkitje e paligjshme e pronave të luftëtarëve të lirisë në Kosovë, e cila ka ndodhë nga Gjykata Speciale ose Dhomat e Specializume nën pretekstin për të vendosur drejtësi e për të penguar padrejtësinë që mund të bëjnë ushtarët e UÇK-së. Tani ata i kanë të gjitha provat, i kanë të gjitha materialet, por nuk po mund të vendosin asgjë kundër ushtarëve të UÇK-së”, tha Molliqaj.

Molliqaj tha se këto veprime të Gjykatës Speciale ndaj ushtarëve të UÇK-së po ndodhin ën frymën e Qeverisë së Kosovës.

“Gjithë kjo po ndodh në frymën e Qeverisë së Kosovës, e cila është qeveri e vetmja që nuk i ka ngritur të hyrat për invalidët e luftës, nuk i ka ngritur të hyrat për familjarët e dëshmorëve, nuk i ka ngritur ose i ka përjashtuar nga paga minimale veteranët dhe më e zeza prej të gjitha këtyre, ose më e rënda është që, siç edhe e dini nuk i ka financuar as protezat për invalidët e luftës. Nuk është e rastësishme kjo. Nuk ka ndodhë asnjëherë nga asnjë qeveri një veprim i tillë çfarë kjo qeveri po e bën. Prandaj, kemi sulm të drejtpërdrejtë nga Dhomat e Specializume për t’i shantazhuar ushtarët e UÇK-së dhe kemi heshtje edhe denigrim të dinjitetit të kategorive të dalura nga lufta. Besoj që ky është një koordinim i dyanshëm, i dëmshëm dhe i rrezikshëm për ata që ne e quajmë vlerën sublime të shtetit të Kosovës, që është Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Molliqaj.

Ai tha se ZPS po e ndjekë UÇK-në dhe jo krimet në Kosovë.

“Nuk është çështje e koordinimit formal dhe marrëveshjes, është çështje e frymës. ZPS-ja po e ndjek UÇK-në, jo krimet në Kosovë. Po i përndjek komandantët e ushtarët e saj, duke ua konfisku pronat e tyre në mënyrë të paligjshme dhe të dhunshme. Ju e dini se siç janë ligjet për konfiskime tilla. Nuk bëhet ashtu siç shkojsh në kafe me ia ngjit telefonin. Nuk është e lejuar asnjëherë. Fillimisht duhet të njoftohet personi, kush janë ata, pse po duan, pastaj përmes procesverbalit konfiskohet telefoni, nuk konfiskohet në mënyra klandestine, ndërsa atë që e thashë, po e përsëris prapë, më thoni ju cilës kategori në Kosovë nuk ju ka arritur paga. Unë t’i përmenda tri prej tyre. Ato janë familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe veteranët janë përjashtu. Dhe mos harroni asnjëherë, që tri vite nuk janë nda fundet për proteza. Nëse veteranët na qenkan të rrejshëm, a janë dëshmorët të rrejshëm? Nëse veteranët na qenkan të rrejshëm ndonjë prej tyre, a janë familjet e dëshmorëve dhe invalidët që kanë proteza të rrejshëm. Pra nuk ka të bëjë me veteranë të rrejshëm, ka të bëjë me përndjekje të kësaj kategorie që po i bëhet nga Qeveria e Kosovës”, tha Molliqaj.