Morina/ Albini më tha: Ashtu siç po thua ti është, por nëse dalim me qëndrime tjera, duhet t’ja vë drynin VV-së

Shkruan Haki Morina:

Pasi bashkëjetesa ime me PDK ishte bërë e pa mundur, sipas mendimit tim, me fajin e PDK-së, u angazhova në krijimin e një partie të re, që u quajt Partia Socialiste e Kosovës, e cila pas 2 vjetësh dështoj së funksionuari, për shkak se ishte parti e papranueshme për popullin, por edhe për shkak të gabimeve të ekipit drejtues të kësaj partie, pjese e të cilit isha edhe unë.

Pasi gjysma e kryesisë mori vendim që kjo parti të bashkohej me VV-në, unë votova kundër këtij vendimi.

Kjo shkaktoj interesimin e Albin Kurtit për të më takuar, dhe kjo ndodhi në restorant Rings në qendër të Prishtinës. Pas pyetjes sime për shkakun e ftesës për takim, ai mu përgjigj se refuzimi im ka shkaktuar interesimin e tij për njohje.
Dhe pas pyetjes së tij, për shkakun e refuzimit tim, unë ju përgjigja që ishin qëndrimet politike të VV, ato që kanë shkaktuar refuzimin.

I përmenda disa qëndrime të saj, që vinin në kundërshtim me pikëpamjet e mija, por konkretisht u ndalen tek qendrimet e VV për çështjen e Mitrovicës dhe të Veriut të Kosovës, ku unë argumentova që akuzat e tyre ndaj qeverisë, në lidhje me shtrirjen e autoritetit të institucioneve tona atje, ishin të gabuara dhe jorealiste.

Pas një shkëmbimi të gjatë të argumenteve Pro dhe kundër, ai në fund tha:

-Ashtu siç po thua ti është, por nëse dalim me qëndrime tjera, duhet t’ja vë drynin VV-së.
E falenderova në fund për sinqeritetin që tregoj në fund të debatit dhe u ndamë miqësisht.

Pavarësisht mospajtimeve, komunikimi me të në tavolinë, më pat pëlqyer, më shumë se me liderët tjerë që kisha patur rastin ti njihja më përpara.

Por çka deshta të them me këtë?

Pas kësaj që ndodhi në Veri me zbatimin e vendimi të Qeverisë serbe për karantinim të komunave të atjeshme, them se nuk do të ishte e dëmshme, as për autoritetin e tij, që të kërkonte falje publike për qëndrimet e atëhershme të VV-së, sepse kështu do ta shtonte besueshmërinë si politikan dhe burrështetas.