“Mos rrej, gënjeshtar, turp”, Ganimete Musliu përplaset në Kuvend me ministrin Peci

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, është përplasur me ministrin e Bujqësisë, pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, për çështjen e anulimit të thirrjes për grante

Musliu ka kërkuar nga ministri peci të tregojë në cilën datë e ka anuluar thirrjen për grante dhe ku e ka publikuar, pasi sipas saj, vendimi nuk është i publikuar në ueb faqen e ministrisë.

“Me datën 25 nëntor kam adresuar çështjen se çfarë po ndodh me thirrjen për grante, që është shpallur në janar të vitit 2021 dhe ka përfunduar në mars të këtij viti, meqë kam marrë shumë pyetje nga qytetarët se nuk e kanë ditur se çka po ndodh, në atë seancë ju për herë të parë jeni deklaruar se ajo shpallje apo ajo thirrje është anuluar. Pyetja konkrete për juve është kur, me cilën datë është anuluar ajo thirrje dhe pse nuk është bërë publike. Sepse ju e dini se shpallja ka qenë publike dhe sipas Ligjit, edhe anulimi do të duhej të bëhej publik… edhe miqësisht ju kam kërkuar që informatën të ma dërgoni përmes e-mail-it, por nuk kam marrë përgjigje”, ka pyetur Musliu, Pecin.

Ministri është përgjigjur se vendimin për anulimin e thirrjes për grantet është i publikuar në ueb faqen e ministrisë.

“Sikurse e kam shpjeguar edhe në seancën e kaluar, vendimi për shpalljen e dytë të granteve është anuluar. Arsyeja pse ka ardhur deri te anulimi është paralajmërimi i vlerësimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për shkeljet e evidentuara në proces të vlerësimit edhe te granteve edhe subvencionit, dhe me qëllim të parandalimit të rrezikut të përsëritjes së shkeljeve të vazhdueshme që kanë ekzistuar në këtë institucion. Nuk është e vërtetë që për herë të parë kam diskutuar, të gjitha vendimet që i marr si ministër bëhen publike në ueb faqen e ministrisë…”, ka deklaruar Peci.