Mospagesa e rrymës në veri, Qeveria do të bisedojë me Brukselin

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se fajin për mos pagesën e rrymës në veri të Kosovës e kanë strukturat ilegale të Serbisë.

Ai tha se për këtë çështje do të flasë me Brukselin dhe jo me Serbinë meqë është çështje e brendshme e vendit.

“Për çështjen e energjisë në veri që s’po paguhet, e kanë fajin strukturat ilegale të Serbisë, sepse sa më shumë ka struktura ilegale të Serbisë në këto vitet pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë aq më pak ka ligjshmëri. Licensimi i kompanisë është kompetencë e ZRRE dhe ata do ta bëjnë vendimin për këtë. Për çështjen e energjisë do të mund të bisedojmë me Brukselin por jo me Beogradin, sepse është çështje e Kosovës. Meqenëse BE-ja ka qenë shumë e impenjuar në këtë temë me ta do të mund të bisedojmë. Prandaj, nëse kjo temë ngritët atje atëherë ngritët vetëm në raportin Prishtinë-Bruksel dhe jo Prishtinë-Beograd”.

Kurti në një konferencë për media ka folur për nismën mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut “Open Balkan”, për të cilën tha se s’ka ndryshuar qëndrimi derisa Serbia nuk hapet për Kosovën.

Rrjedhimisht, ai tha se ky emërim “Ballkan i Hapur” është i gabueshëm meqenëse është i pavërtetë.