Mosqeverisja e mirë e Kurtit i kontribuoi ikjes së rinisë, thonë analistë e sociologë

Kosova i ka mbi 40 mijë banorë më pak sivjet sesa vjet.

Kaq është numri i atyre që e lëshuan vendin, me e pa letra, duke marrë rrugë të ndryshme në mërgim gjatë 2021-ës.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës po i shohin si shqetësuese analistët e sociologët në vend.

Politologu Arbnor Sadiku fajin për ikje ia lë qeverisjes së Albin Kurtit.

“Dështimi për të rritur investimet e huaja direkte në Kosovë, mosrritja e pagave edhe përkundër rritjes së çmimeve në Kosovë, shtrenjtimi i rrymës në fundvitin 2021 dhe fillimvitin e 2022-ës, janë tregues të qartë se Qeveria Kurti i ka ndihmuar ikjes së të rinjve nga Kosova”, theksoi Sadiku për “Front Online”.

Sociologu Bekim Selishta e zgjeron edhe më shumë rrezen e fajësisë, teksa numëron faktorët.

“Jo një qeveri, po disa qeveri. Po ende po vazhdojnë me politika të gabuara për motivimin e të rinjve në punësim ose në avansime profesionale….shtrenjtimi i gjërave, mosstabiliteti me kontrata afatgjate në punë, pagat”, theksoi ai për “Front Online”.

Se popullsia e Kosovës po shkon duke u zvogëluar me kalimin e viteve e tregojnë edhe statistikat e Eurostat.

Sipas këtyre të dhënave, ajo është reduktuar me 10.2%, në krahasim me vitin 2003, kur raportohen për herë të parë të dhënat.

Ndryshe, kryeministri aktual Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore të 2019-ës kishte thënë se çdo i dyti është i papunë e afër 350 mijë vetë kanë ikur nga vendi si pasojë e skamjes, mjerimit dhe diskriminimit.

Kjo gjendje, siç premtonte ai, do të merrte fund me ardhjen e tij në pushtet.

“Me 6 tetor, kur hedhim fletëvotimin me numër 126 në kuti, me dorën tonë i japim shqelmin korrupsionit në qeveri dhe mjerimit në popullsi”, premtonte Kurti më 29 shtator të 2019-ës.