Moti nesër dhe ditëve në vazhdim

Edhe sonte gjatë natës në rajon priten reshje lokale atmosferike si pasojë e kalimit të frontit të fundit të ftohtë ajror në vazhdën e disa fronteve që përshkuan rajonin tonë ditëve të fundit. Varësisht nga temperaturat dhe pozita gjeografike ato do të jenë në formë shiu apo bore, kurse gjatë ditës së nesërme pritet stabilizim gradual i motit, por do të jetë relativisht ftohtë.

Nesër në Kosovë do të mbajë mot me intervale të gjata kohore me diell dhe vranësira. Do të ketë erëra mesatare nga veriu dhe veriperëndimi. Vende-vende do të ketë mundësi për fjolla të herëpashershme bore sidomos në disa vise kodrinore-malore.

Në Shqipëri dhe tërë rajonin nesër pritet stabilizim gradual i motit dhe priten intervale të gjata kohore me diell. Në disa rajone malore do të ketë fjolla bore.

Pasnesër mbi rajonin tonë do të fillojnë të depërtojnë masa më të ngrohta ajrore nga Mesdheu dhe Afrika Veriore. Erërat perëndimore dhe jugperëndimore do të fillojnë të fryjnë dhe priten ngritje të ndjeshme të temperaturave. Temperaturat do të jenë pothuajse pranverore.

Trend i ngjashëm do të vazhdojë edhe ditëve të ardhshme. Do të kemi temperatura të larta për këtë periudhë kohore. Gjithashtu do të kemi alternime vranësirash dhe intervaleve kohore me diell, kurse reshje atmosferike do të jenë shumë të rralla dhe të pakta. Kjo situatë sinoptike vlen deri në datat 5 ose 6 Shkurt kur do të kemi ndryshim të kushteve sinoptike me mundësi për reshje të dendura shiu dhe bore./Meteoballkan