Moti nesër dhe ditëve në vazhdim në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi

Sonte gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit mbi Kosovë dhe Shqipëri do të kalojë qendra ciklonike e cila shumë shpejt do të ikë në drejtim të Greqisë. Si pasojë në Shqipëri priten reshje të dendura shiu, vende-vende rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë, ndërsa në Kosovë reshjet do të jenë më të pakta ose fare të pakta. Pak më shumë reshje priten në disa rajone të Dukagjinit. Nëpër male do të ketë reshje të reja bore.

Nesër në Kosovë pas një mëngjesi tërësisht të vranët dhe vende-vende me reshje shiu gjatë ditës pritet stabilizim gradual i motit. Erërat do të ndryshojnë drejtim dhe do ti fillojnë të fryjnë nga veriperëndimi. Temperaturat do të shënojnë ulje të lehta.

Edhe në Shqipëri pas reshjeve intensive të natës dhe mëngjesit nesër pritet që moti të stabilizohet gradualisht, ndërsa ngjashëm do të jetë edhe në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Nga pasnesër i tërë rajonin ynë do të jetë nën ndikimin e masave stabile ajrore anticiklonike. Netët dhe mëngjeset do të jenë të ftohta dhe me mundësi për mjegull, kurse ditët më të ngrohta nëse nuk ka mjegull.

Ajri nëpër qytete përsëri ka mundësi që të jetë i ndotur për shkak të dominimit anticiklonik, mjegulles eventuale dhe ndotjes së ajrit nga faktori njeri./Meteoballkan