Sa është shifra e daljes në zgjedhjet në Shqipëri, flet Zguri, Kryetari i KQZ-së (video)

Kreu i KQZ, Klement Zguri është shprehur se shifrat e dhëna deri tani për pjesëmarrjen në zgjedhje janë të pabesueshme pa u konfirmuar nga KQZ.

Zguri tha se këto shifra janë paraprake dhe vijnë vetëm përmes komunikimeve telefonike. Ndërsa shtoi se vetë ende nuk ka votuar.

Klement Zguri: “Është e vërtetë përmes një deklarate nga zëdhënësja e komisionit janë raportuar shifra dhe një përqindje e caktuar deri në orën 11:00. Nuk është shifër zyrtare e konfirmuar nga KQZ-ja. Kjo shifër ka ardhur përmes komunikimeve telefonike të specialistëve të KQZ-së me KZAZ-të.

Dhe KZAZ-të i kanë marrë këto po përmes komunikimeve telefonike me sekretarët e qendrave të votimit. Duke ditur përbërjen aktuale të gjithë administratës zgjedhore unë besoj që këto shifra minimalisht nuk janë të besueshme pa u konfirmuar nga zyrtarisht nga KQZ. Nuk janë zyrtare, janë paraprake dhe vijnë thjesht e vetëm përmes komunikimit telefonik. Unë akoma nuk kam votuar.”

Ndërkohë zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxhaj në një njoftim për shtyp mesditën e sotme tha se deri në orën 11:00 në QV e votimit në gjithë vendin pjesëmarrja ishte 12%.