Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë pritet të mbajë mot plotësisht i vranët në mëngjes dhe paradite dhe me reshje shiu. Pasdite reshjet pritet të pushojnë dhe priten edhe intervale kohore me diell, ndërsa reshjet do të vazhdojnë të izoluara vetëm në disa zona.

Në Shqipëri pritet të mbajë mot i vranët dhe me reshje të dendura shiu.  Vende-vende priten rrebeshe intensive me vetëtima dhe bubullimë. Reshje të fuqishme priten edhe në Mal të Zi, ndërsa reshje të intensitetit mesatar priten në Maqedoninë Veriore dhe Luginën e Preshevës. Gjatë ditëve të ardhshme priten edhe erëra lokalisht të fuqishme nga jugu dhe jugperëndimi herë pas here.

Për fundjavë na pret mot mjaft i ndryshueshëm, por jo i ftohtë. Në Shqipëri me reshje të shpeshta shiu dhe rrebeshe lokale me vetëtima dhe bubullimë. Në viset tjera priten herë pas here riga shiu dhe intervale kohore pa reshje fare. Reshje shumë intensive priten në disa vise të Shqipërisë dhe Malit të Zi, ndërsa reshje të shpeshta priten edhe në shumë pjesë të Dukagjinit. Në viset tjera reshjet do të jenë më të rralla.

Të hënën pritet depërtimi i ftohtit të ftohtë nga veriu i cili do të kushtëzojë ulje të ndjeshme të temperaturave dhe reshjet e shiut do të shëndrrohen në reshje bore fillimisht në viset kodrinore-malore. Me uljen e mëtutjeshme të temperaturave reshje bore priten edhe në shumë ultësira të Republikës së Kosovës dhe disa ultësira në Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi.

Të martën na pret ditë e vërtetë dimërore, por reshjet eventuale të borës pritet të pushojnë. Do të jetë mjaft ftohtë./MeteoBallkan