Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë pritet të mbajë mot me vranësira dhe intervale kohore me diell. Pasdite nga perëndimi i vendit do të fillojnë të vijnë vranësira të dendura të cilat do të sjellin reshje shiu të cilat në disa intervale mund të jenë të dendura. Në viset e larta malore reshje bore e shqote.

Në Shqipëri sot pritet të mbajë mot plotësisht i vranët dhe me reshje shiu. Priten reshje të dendura shiu dhe lokalisht edhe rrebeshe me vetëtima dhe bubullimë. Reshje intensive sot priten edhe në Mal të Zi, ndërsa në Maqedoninë Veriore dhe Luginën e Preshevës reshjet e shiut pritet të arrijnë pasdite ose në mbrëmje.

Të premtën në Kosovë dhe Maqedoninë Veriore përpos vranësirave priten edhe intervale kohore me diell. Vende-vende priten edhe reshje lokale shiu dhe bore në viset kodrinore-malore. Në Shqipëri dhe Mal të Zi pritet mot kryesisht i vranët dhe vende-vende me reshje shiu e bore në viset malore.

Të shtunën një tjetër sistem i madh vranësirash na vjen nga Mesdheu duke kushtëzuar reshje të përziera të cilat pritet të shndërrohen në reshje shiu, ndërsa në mbrëmje priten reshje bore në viset kontientale.

Të dielën na pret mot i ftohtë dhe me reshje bore në Kosovë, veri të Malit të Zi, verilindje të Shqipërisë dhe Luginën e Preshevës. Vende-vende edhe në Maqedoninë Veriore dhe lindje dhe juglindje të Shqipërisë. Në viset tjera të Shqipërisë reshjet do të pushojnë dhe temperaturat do të ulen./MeteoBallkan