Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe i nxehtë. Pasdite në disa rajone pritet destabilizim i motit, me zhvillime lokale të vranësirave konvektive të cilat do të kushtëzojnë rrebeshe lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi sot pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe mjaft i nxehtë. Pasdite në veriun e Shqipërisë, veriun dhe qendrën e Malit të Zi si dhe disa vise të Maqedonisë së veriut priten zhvillime të vranësirave të cilat do të kushtëzojnë rrebeshe lokalisht të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër.

Të martën na pret një ditë mjaft jo-stabile. Në shumicën absolute të rajonit tonë përpos intervaleve kohore me diell herë pas here priten zhvillime të fuqishme të vranësirave konvektive të cilat do të kushtëzojnë rrebeshe lokalisht mjaft të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër. Pritet freskim i motit. Stuhi afatshkurtra shiu priten edhe në bregdetin shqiptar me përjashtim ndoshta jugut të skajshëm. Më së shumti rrebeshe intensive priten në disa rajone të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, por është e pamundur të precizojmë me saktësi 100% se cilat do të jenë rajonet më të goditura.

Nga e mërkura stabilizim i motit, ndërsa nga e enjta ngritje e temperaturave në tërë rajonin./Meteoballkan