MPB-ja do t’i monitorojë provimet për patentshoferë

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Agim Veliu, dhe ai i Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Arban Abrashi, kanë nënshkruar të premten një memorandum bashkëpunimi.

Ky memorandum ka për qëllim marrëveshjen në mes të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Infrastrukturës për pjesëmarrjen e stafit të autorizuar nga MPB-ja në cilësinë e vëzhgimit në provimet për shofer si dhe përshkrimi i kushteve dhe mënyra e pjesëmarrjes së zyrtarëve të MPB-së.

Në zbatim të nenit 124, të Ligjit Nr. 05/L-064 për patentshoferë, pjesëmarrës në mbikëqyrjen e mbajtjes së provimeve do të jenë edhe zyrtarë të autorizuar të MPB-së.

Gjithashtu, MI-ja ka siguruar se në testimet për patentshoferë do të përfshihen zyrtarët e autorizuar nga MPB-ja.

Më tej, në këtë memorandum është thënë se zyrtarët e autorizuar nga MPB-ja dhe MI-ja do të angazhohen me vendim të ministrit të MI-së.

Me nënshkrimin e memorandumit, MI-ja dhe MPB-ja pajtohen që të dhënat nga pjesëmarrja në testime të jenë konfidenciale, dhe si të tilla do të përdoren vetëm për qëllime të këtij memorandumi, dhe të njëjtat nuk do të shpërndahen tek palët tjera të paautorizuara.