MPJD i ndalon vizitën në Kosovë zyrtarit serb

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka refuzuar kërkesën e zyrtarit serb Petar Petkoviq (i ashtuquajtur ‘drejtor në zyrë për Kosovën’) për vizitë në Republikën e Kosovës, shkruan Fokusi.info.

Kjo u bë e ditur përmes një postimi në Facebook nga Meliza Haradinaj-Stublla, ministre e punëve të jashtme dhe diasporës.

Ky është postimi i saj:

Pas interesimit të medieve, njoftoj opinionin publik se edhe sonte MPJD ka refuzuar kërkesën e zyrtarit serb Petar Petkoviq (i ashtuquajtur ‘drejtor në zyrë për Kosovën’) për vizitë në Republikën e Kosovës.

Përderisa Serbia vazhdon të sillet në mënyrë destruktive,

➖Duke vazhduar shkeljet e maltretimet me arrestime arbitrare e mbajtje ilegale të qytetarëve të Kosovës (i fundit javën e kaluar!);

➖Duke përdorur rrugë të paligjshme dhe klandestine për të futur ‘vaksina’ të dyshimta në Kosovë me qëllim rrezikimin e sigurisë shtetërore dhe shëndetit publik;

➖Duke tentuar rikthimin e fushatës kundër shtetësisë së Kosovës – së fundmi duke i kërkuar Katarit që ‘të mos lobojë për Kosovën’ duke shkelur në mënyrë flagrante marrëveshjet e Washingtonit e të Brukselit;

➖Duke rritur provokimet, kërcënimet, sjelljet e ulëta, dhe lojërat e ndyra që po sjellin pasiguri dhe destabilizim në rajon e më gjerë!

Andaj, le të qëndrojnë larg Kosovës!