MTI u dha paga në vlerë rreth 123 mijë euro serbëve që nuk shkuan asnjë ditë në punë

122 mijë e 738 euro ka shpenzuar Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për pagat e 25 punëtorëve serb, gjatë vitit 2020, edhe pse të njëjtit asnjëherë nuk kanë shkuar në punë, që nga viti 2016.

Sipas raportit të auditimit të nxjerr nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), MTI kishte angazhuar këta punëtorë në bazë të një vendimi të Qeverisë së Kosovës, në vitin 2015.

“Me vendimin nr. 06/39 të datës 22.07.2015, Qeveria e Kosovës ka aprovuar konkluzionet e dakorduara të Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për realizimin e marrëveshjes së ashtuquajtur ‘Mbrojta Civile’. Përmes këtij vendimi, MTI ka të angazhuar 25 punonjës të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në sistemin e Republikës së Kosovës. Këta punonjës nuk kanë punuar asnjëherë për MTI që nga viti 2016 kur edhe janë nënshkruar aktemrimet a tyre”, thuhet në raportin e auditimit.

Sipas këtij raporti, mungesa e hapësirave të punës në komunat përkatëse ishte shkak kryesor për mos angazhimin e këtyre të punësuarve.

Tutje, ministria kishte bërë përpjekje për adresimin e kësaj çështje gjatë vitit, duke dërguar shkresa tek ministritë përkatëse për marrje me qira ose sigurimin e hapësirave për këta të punësuar, mirëpo një gjë e tillë nuk ishte realizuar.

Zyra Kombëtare e Auditimit, pagesën për këta punëtorë e nënvizon si dëmtim të buxhetit.

“Pagesa e pagave pa vijueshmëri në punë shkakton dëmtim të buxhetit dhenjëherit ndikon në mosarritjen e objektivave të përcaktuara me marrëveshje”, thuhet në raport.

Në lidhje me këtë ZKA-ja ka nxjerr një rekomandim për MTI-në.

“Ministrja duhet të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të komunitetit serb, duke bërë monitorimin e tyre të vazhdueshëm ashtu siç parashihet me aktet ligjore”, thuhet në raport./Lajmi.net/