Muhaxheri nuk pret që dialogu të përfundoj brenda këtij viti, flet edhe për rolin e LDK-së në këtë proces

Zgjedhjet në Serbi dhe pozicionet e kundërta të palëve kanë bërë që dialogu Kosovë- Serbi të hyj në një ngërç.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, thotë se është i gatshëm për të zhvilluar dialogun, por takime nuk janë zhvilluar tash e disa muaj.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës i ka dhënë mbështetje Qeverisë për të përfunduar këtë proces.

Nënkryetari i këtij subjekti, Gazmend Muhaxheri nuk pret që brenda këtij viti të përfundoj dialogu.

“Varet nga Qeveria dhe prej presionit që ka mu ba në mënyre që më u përfundu dialogu. Por, unë nuk besoj që kryhet brenda vitit, besoj që ka më zgjatë më shumë, por të shohim”, ka thënë Muhaxheri për Indeksonline.

Më tutje, ai tregon se cilin rol do ta ketë LDK në këtë proces.

“Dialogun i takon me kry Qeveria, ata që i kanë marrë votat ne do të jemi monitorues të dialogut.  Do të shohim si përfundon dhe do ta ketë përkrahjen tone më përfundu këtë dialog”, ka shtuar Muhaxheri.

Pikërisht për çështjen e dialogu këtë javë të dy vendet i kanë vizituar i dërguari amerikan, Gabriel Escobar dhe diplomati i BE-së, Mirosllav Lajçak.

Zyrtarët e lartë ndërkombëtare kanë zhvilluar takime me krerët shtetëror të dy vendeve për të inkurajuar vazhdimin e dialogut.

Escobar dhe Lajçak kanë zhvilluar takime edhe me krerët e partive opozitare në Kosovë.