“Murati është mashtrues”| Paralajmërohen protesta kundër Qeverisë Kurti pasi s’i rriti pensionet e veteranëve

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, ka paralajmëruar protesta në rast se me rritjen e pagës minimale, nuk rriten edhe pensionet veteranëve.

Klinaku në një prononcim për Demokracia.com, ka thënë se ministri i Financave, Hekuran Murati po e mashtron opinionin në interpretimin e ligjit që rregullon këtë çështje.

“Ministri Murati po e mashtron opinionin, sipas të gjitha gjasave është ministër mashtrues. Nuk e sheh ligjin në tërësi, ndryshimin e ligjit. Ligji thirret që e ka heqë nenin 18 ku flitet për pagën minimale, ndërsa nuk flet për ligjin në tërësi. Ligji në tërësi e thotë që neni i ri për kategorizim hynë në fuqi kur të bëhet kategorizimi, ndërsa ky kategorizim nuk është bërë asnjëherë që 4 vite e gjysmë, as që ka filluar. Nuk është formuar komision prej qeverive për kategorizim, nuk e kanë bërë asnjë hap në këtë drejtim. Në atë komision, është paraparë që të ketë anëtar për kategori të luftës, për këtë çështje, këta votat i kanë mbledhë nga veteranët që të rriten pensionet”, ka thënë ai.

Klinaku për Demokracia.com ka thënë se sipas ligjit në fuqi, me rritjen e pagës minimale, rriten edhe pensionet e veteranëve, derisa ka konfirmuar se nëse bëhet shkelje ligjore, do të dalin në protesta.

“Ai ligj që bëhet fjalë për kategorizim, nuk janë pajtuar dhe e kanë dërguar në Kushtetuese, dhe ka pasur vendim të saj. Po e mashtrojnë opinionin sepse Kushtetuesja as nuk ndryshon ligje, as nene, vetëm ka treguar se një nen është në përputhje dhe një tjetër në kundërshtim me Kushtetutën. Kjo është dashur të jetë çështje e Kuvendit.  Me ligjin aktual në fuqi, që është i vetmi, thuhet që nuk mund të jetë beneficioni i veteranit më i vogël se paga minimale. Nëse ka rritje të pagës minimale, rritet edhe pensioni. Nëse bëjnë shkelje ligjore natyrisht që ne jemi në rrugë dhe do t’ia zëmë derën, as nuk e lëmë me hy brenda as me dal jashtë, kjo varet prej situatës që paraqitet në protestë”, ka thënë ai për Demokracia.com.

Ligji 04/l-261 i miratuar në vitin 2014 përkatësisht neni 18, parasheh lartësinë e shumës së pensioneve për veteranët, ku ishte vendosur që mos të jetë më e vogël se paga minimale e përcaktuar në Kosovë.

Sidoqoftë, ministri Murati të mërkurën ka thënë se neni 18 i këtij ligji është shfuqizuar në vitin 2017 me ndryshimet ligjore të ligjit për veteranët.

“Në vitin 2017, ka ndryshuar ligji për Veteranët, është votuar në Kuvend. Është fshirë neni 18, që thotë se paga e veteranit përcaktohet me vendim të Qeverisë, por jo më pak se paga minimale. Ai vendim është fshirë. Kështu që, në projektligjin që ne kemi shtyrë përpara, për të qenë të sigurt juridikisht, kemi vendosur që paga minimale kudo që bëhet për skemat pensionale dhe sociale të bëhet kjo shkëputje, që të mos kemi këtë problem. Nuk qëndron kjo. Paga minimale është paga që paguhet për një ore në punë, skemat pensionale dhe sociale pastaj përcaktohen në bazë të meritës, kategorisë”, ka thënë ai, raporton Demokracia.com.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës të mërkurën ka marrë vendim për rritjen e pagës minimale në 264 euro, nga 130 dhe 170 sa ishte.

Me këtë vendim, nuk janë as pajtuar sindikatat e punëtorëve në Kosovë, të cilat kanë kërkuar që paga minimale të jetë 400 euro.