Specialja informon për dëshmitë e dhëna gjatë javës dhe për aktivitete tjera të realizuara

Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes informimit javor të DhSK-së për media ka dhënë informacionet lidhur me aktivitetet kryesore të realizuara në këtë gjykatë gjatë një jave.

Sipas zëdhënësit Doyle gjykimi në çështjen gjyqësore Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi rifilloi të hënën, më 25 shtator, me dhënien e dëshmisë së dëshmitarit të 26-të i thirrur nga Prokuroria, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha së sipas përmbledhjes së shkurtër të lexuar në sallë të gjyqit, dëshmitari dhe anëtarët e familjes së tij u mbajtën të ndaluar nga anëtarë të UÇK-së më 1998, ku pas kësaj disa nga anëtarë të familjes së tij u vranë.Me tej në këtë konferencë u tha se të martën, dëshmitari i 27-të i thirrur nga Prokuroria filloi dhënien e dëshmisë, e cila vazhdoi të mërkurën dhe seanca ishte plotësisht e mbyllur.

Zëdhënësi i DhSK-së tha se më 21 shtator, Trupi Gjykues në të njëjtën çështje gjyqësore miratoi kërkesën e Mbrojtjes së Selimit që të lëshohet versioni konfidencial me më pak redaktime i vendimit të konfirmimit të aktakuzës për të pasqyruar versionet e disponueshme me më pak redaktime të aktakuzës dhe dosjes paraprake të ZPS-së.

Ndërsa lidhur me çështjen gjyqësore të Pjetër Shalës, zëdhënësi Michael Doyle tha se dëshmitari i parë i thirrur nga mbrojtja, z. Bardhyl Mahmuti, përfundoi dhënien e dëshmisë të enjten e kaluar.

Sipas tij, seancat në çështjen Shala do të vazhdojnë të hënën, më 2 tetor, në orën 9:30, dhe janë planifikuar të vazhdojnë tërë javën.

Lidhur me aktivitetet tjera të DhSK-së, në këtë konferencë u tha se ekipi për komunikim dhe ndërgjegjësim i Dhomave të Specializuara të Kosovës vizitoi Kosovën javën e kaluar, ku u takuan me studentë të drejtësisë dhe shoqërinë civile në Prishtinë dhe Vërboc.

Ndërsa më 24 shtator, Dhomat e Specializuara të Kosovës morën pjesë në Ditën e Vizitave Vetëm Paqe në Hagë, me ç’rast hapën dyert për publikun e interesuar që vizituan gjykatën, dëgjuan prezantimin lidhur me mandatin dhe proceset gjyqësore të DHSK-së dhe bënë pyetje.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.