Murati: Për të pasur ndryshime pozitive në shoqëri, duhet filluar nga politika, nga njerëzit që merren me të

Ngjarja e fundit që ka tronditur mbarë opinionin kosovar ajo e vrasjes së 18 vjecares nga Ferizaj është komentuar edhe nga kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati.

Ai përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se ndonëse me të drejtë po kritikohet sistemi i drejtësisë për reagim të vonshëm e edhe kultura shoqërore, pak u fol për politikën e cila barë mbi vete drejtimin e shoqërisë.

Ai ka thënë se debatet politike e logjika politike e ndërtuar viteve të fundit janë duke krijuar një atmosferë pesimiste e të zymtë, e cila më pas po rritë tensionet shoqërire e ndërnjerëzore.

“Kjo situatë është ndër faktorët që ka ndikuar në rritjen e kriminalitetit në përgjithësi, përfshirë dhunën në familje, delikuencën e të miturve, por edhe të rritjes së dhunës ndaj gruas dhe trajtimit të saj në shoqëri në veçanti. Andaj për të pasur ndryshime pozitive në shoqëri, duhet filluar nga politika, nga njerëzit që merren me të, nga mënyra sesi mediat i promovojnë të ‘fortët e politikës’ e që lehtë shiten si modele që duhet kopjuar në jetën e përditshme

Politika mujshare si promovuese e dhunës në shoqëri”, ka shkruar Murati.

Shkrimi i plotë i tij:

Politika mujshare si promovuese e dhunës në shoqëri

Këto ditë me të drejtë u kritikua sistemi i drejtësisë i cili me reagimin e vonshëm jo njëherë ka lënë të lirë individë që cilët kanë përfunduar në vrasës të grave. Po kritikohet me të drejtë edhe kultura shoqërore maskiliniste që prek shumë pore shoqërore e deri tek tekstet muzikore që promovojnë hapur jo vetëm dhunën ndaj grave por i trajtojnë ato vetëm si objekte seksi. Megjithatë pak u fol për politikën, e cila në shumë drejtime e mbart mbi supe barrën e drejtimit të shoqërisë.

Logjika politike e ndërtuar viteve të fundit, një logjikë e mujsharëve politikë, e debateve me ofendime e jo me argumente, e politikanëve populistë e me ‘muskuj’, e kërcënimeve të hapura, e ndarjes së njerëzve në mënyrë arbitrare në patriotë dhe tradhtarë dhe linçimi i atyre që mendojnë ndryshe e përcjell kjo me rezultate të dobëta në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale të popullsisë ka krijuar një atmosfere të zymtë dhe pesimiste në shoqëri por edhe ka rritur tensionet shoqërore dhe ndërnjerëzore.

Kjo situatë është ndër faktorët që ka ndikuar në rritjen e kriminalitetit në përgjithësi, përfshirë dhunën në familje, delikuencën e të miturve, por edhe të rritjes së dhunës ndaj gruas dhe trajtimit të saj në shoqëri në veçanti. Andaj për të pasur ndryshime pozitive në shoqëri, duhet filluar nga politika, nga njerëzit që merren me të, nga mënyra sesi mediat i promovojnë të ‘fortët e politikës’ e që lehtë shiten si modele që duhet kopjuar në jetën e përditshme.