Murati: ‘Targat’, tregues për brishtësinë e situatës në veri

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim , Valon Murati, tha se çështja rreth targave dhe çdo gjë që ndodh në veri dëshmon për brishtësinë e situatës atje.

“Çështja e veriut dhe situatës atje duhet të zgjidhet përmes procesit politik. Targat sado që mund të duken që janë çështje teknike, apo të zbatimit të ligjit, atje çdo gjë ka konotacion politik. Ne si Lëvizje për Bashkim kemi qenë kundër bisedimeve teknike, kemi qenë kundër që të merremi me këto çështjet e vogla. Kemi menduar se duhet të përqendrohemi në zgjidhjen e tërësishme të problemeve që Kosova i ka me Serbinë, e një prej atyre problemeve është edhe veriu i vendit”, tha ai në një intervistë në emisionin “Info Plus” në RTK.

Ai tha se kanë insistuar që në këto bisedime politike me të njëjtën masë të trajtohej edhe çështja e Kosovës Lindore.

“Po ashtu tash kemi bërë edhe një thirrje se edhe në këto momente është situata e njëjtë. Ne nuk duhet ta humbim fokusin, ne duhet të mobilizohemi si shoqëri për ta zgjidhur problemin me Serbinë në tërësinë e saj, e jo të mbesim peng i këtyre marrëveshjeve qoftë edhe të kaluara që kanë një konotacion teknik”, tha Murati.

Sipas tij çështja e veriut nuk zgjidhet ndryshe përveç se me dialog dhe mjete politike.“Çështja e sigurisë së veriut në këto momente realisht është jashtë dorës edhe të Kosovës dhe asaj të Serbisë, sepse në fund të ditës kryesori për sigurinë në veri është KFOR-i dhe në këtë trekëndësh duhet ta gjejmë zgjidhjen për e sigurinë atje”, theksoi ai.

Murati foli edhe për reagimin e ndërkombëtarëve lidhur me zbatimin e vendimit për targat ilegale.Sipas tij ata në këtë moment janë të interesuar që të zgjidhet problemi në mes të Kosovës dhe Serbisë për aq sa mund të zgjidhet në një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Ai tha se kryeministri Kurti është dashur që këtë situatë ta zgjidhë në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar.