Murati:Lugina t’i bashkohet Kosovës, tri komunat e veriut t’i jepen Serbisë

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka thënë se ripërcaktimi i kufijve është e vetmja mënyrë që zgjidh problemet mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Murati ka thënë se tri komunat shqiptare në Luginë të Preshevës duhet t’i bashkohen Kosovës, ndërsa ato me shumicë serbe në veri, Serbisë.

“Platforma e Lëvizjes për Bashkim është shumë e qartë. Ne mendojmë se e vetmja zgjidhje e plotë e problemit shqiptaro-serb, në këtë radhë e cila shkon përmes zgjidhjes së problemeve midis Kosovës dhe Serbisë është ripërcaktimi i kufijve. Sipas Lëvizjes për Bashkim ne mendojmë që tri komunat shqiptare në Kosovën lindore, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, atje ku shqiptarët janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale duhet të bashkohen me Kosovën. I njëjti parim duhet të vlejë edhe për tri komunat me shumicë serbe të cilat kanë vazhdimësi territoriale me Serbinë kanë të drejtë të bashkohen me asaj”, ka thënë Murati.

Ai ka thënë se marrëveshja për ripërcaktim të kufijve do të nënkuptonte ndryshim të disa prej parimeve të pakos së Ahtisarit që janë pjesë e Kushtetutës, e të cilat Kosovën do ta bënin të pavarur nga dy të tretat e votave të pakicave për ndryshime kushtetuese.

“Kjo marrëveshje që do të rezultonte për ripërcaktimin e kufijve do të nënkuptonte edhe një ndryshim të disa prej parimeve themelore të pakos së Ahtisarit që janë pjesë e Kushtetutës së Kosovës në mënyrë që Kosova të bëhet shtet funksional dhe të mos varet nga dy të tretat e votave të pakicave për të ndryshuar kushtetutën në këtë radhë të serbëve të cilët e bllokojnë vazhdimisht ndonjë reformë kushtetuese që Kosova të bëhet shtet funksional dhe të mos varet nga lista serbe. Unë mendoj që vetëm projekti i ripërcaktimi të kufijve e largon Serbinë nga Kosova”, shtoi Murati.

Sipas Muratit, marrëveshja e Washingtonit nuk është e dëmshme për Kosovën, por është e rëndësishme të realizohen projektet që kanë të bëjnë me infrastrukturën dhe ato ekonomike.