Musliu: Janë vetëm 3 prokurorë në Kosovë për hetimin e krimeve të luftës, duhet të ishin 50

Betim Musliu nga IKD-ja ka thënë se nuk kemi veprime ende sot të cilat na çojnë në drejtim të një pune e cila do të zbardhte krimet e luftës në Kosovë.

“Si institut në vazhdimësi kemi avokuar, kemi bërë edhe punime, së fundmi e patëm edhe një pasqyre të asaj çfarë ka ndodhur prej përfundimit të luftës e deri më sot në raport me krimet e luftës”, ka thënë Musliu.

Ai ka theksuar se ende sot në Prokurorinë Speciale i kemi tre prokurorë, që janë në departament për krime lufte për t’i zbardhur të gjitha ato krime të luftës të cilat kanë ndodhur në Kosovë.

“Pra, shteti jonë, për dallim prej retorikës boshe, duhet të dëshmojë vullnet politik. Qysh përkthehet kjo. Kjo dmth se këtë sistem gjyqësor, prokurorial, këtë polici që e ke duhesh me e mbështet me kapacitetet për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës. Me i çu atje 300-400 policë që kanë me hetuar çdo send që lidhet me krimet e luftës. Në atë Prokurori Speciale, në departament për krimet e luftës mos me i lënë tre prokurorë se ata vetëm me punë administrative me u marrë s’mund të arrijnë asgjë të bëjnë, janë pak. Duhet me i çu së paku 30, 40, 50 prokurorë edhe me ju dhënë mandat. Me iu thënë për 3-4 vjet ju keni me u marrë vetëm me krime lufte. Njëjtë me vepruar edhe me gjyqtarë. Pra, ky është ai vullneti politik që thjesht ka munguar prej institucioneve tona”, ka thënë Musliu.

Sipas tij duhet të lëshohen fletarreste për të dyshuarit për krime lufte.

“E sot, prej majit 2014, kujt mundemi me ia lanë fajin që s’i kanë trajtuar rastet e krimeve të luftës. Tash, jo por ne i kemi serbët në pjesën e Serbisë dhe janë diku tjetër dhe ne nuk mundemi me i ndjekë dhe me i gjykuar në mungesë. Por, ndjekjen e hetimin t’i mund ta përfundosh, lëshoj t’i 10 mijë fletarreste kundër të gjithë atyre personave të dyshuar për të cilët sot për fat të mirë në një pjesë të rasteve ende i ke dëshmitarë të gjallë që të flasin se qysh ia kanë masakruar vëllain, babën apo këdo prej anëtarëve të familjes ose të afërm”, ka thënë Musliu.