Musliu: Kurti u zmbraps turpshëm në Veri, u dorëzua para shantazheve kryeministri demagog

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e ka quajtur zmbrapsje të Albin Kurtit pajtimin e kryeministrit kosovar me planin katër pikësh lidhur me situatën në Veri.

Sipas saj, kryeqeveritari u dorëzua para shantazheve.

Për këtë, ajo thotë se Kurti duhet t’u kërkoj falje qytetarëve për mashtrim.

“U tërhoq nga qëndrimet e tij të ngurta vetëm pasi doli afera Zdravo. Vetë fakti që u tërhoq pas kësaj afere kemi të bëjmë me një zmbrapsje të turpshme dhe me dyshim se çka ka mbrapa asaj afere duke pasë parasysh se aty dëgjohet Slavko kur i thotë Mimoza Kusarit se po t`i zbulojmë bisedat e mëhershme, i shkon koka kryeministrit dhe qeverisë. Ka zmbrapsje të turpshme dhe ka dorëzim para shantazheve qe mund t`i bëhen Albin Kurtit”.

Musliu thotë se Kurti e dëmtoi sovranitetin e vendit në ato zona të banuara me shumicë serbe.

“Unë konsideroj që Kurti nuk ka rezistuar për shtrirje te sovranitetit, është e kundërta ai e ka dëmtuar sovranitetin e Republikës me veprimet e tij në veri. Krejt maskaradë që e ka bërë për muaj të tërë u bë me fsheh paaftësinë e tij për të qeverisur dhe për t`iu përgjigj votuesve”, tha Musliu.

“Kurti duhet tu kërkojë falje ushtarëve të lënduar të Kforit, policisë që i ka maltretuar me muaj të tërë, i ka lënë me 12 a 24 orë, mbi të gjitha qytetarëve për mashtrimin e madh që ua ka bërë”, vazhdoi tutje ajo.
Ganimete Musliu: Kurti duhet të shkojë në shtëpi, ai di veç t`i shkatërrojë institucionet

Deputetja e zëshme e PDK-së, Ganimete Musliu i ka bërë thirrje që Albin Kurti të mos jetë më kryeministër i Kosovës.

Kjo meqë, sipas saj, shefi i qeverisë ka keqpërdorë besimin që i dhanë qytetarët më 14 shkurt 2021.

“Qeveria nuk duhet të shkojë në shtëpi sepse opozita po bën thirrje, por duhet të shkojë në shtëpi se e ka mashtruar qytetarin, e ka thyer besimin qe i ka dhënë për të qeveris. Me vetë faktin që kanë shkuar 2 vjet të qeverisjes Kurti 2 dhe 1 vjet e qeverisjes Kurti 1 dhe nuk kemi asnjë edhe punë të vetme që mund t`ia bëjmë një tik që ka përfunduar Albin Kurti si kryeministër dhe qeveria e tij, kjo tregon se është i paaftë për të qeveris”.

Sipas Musliut, Kurti di të bëjë veç gjëra të mbrapshta.

“Ai dinë të shkaktojë trazira, përleshje dhe shkatërrojë institucionet e vendit tonë. Ai duhet të shkojë në shtëpi jo pse po e kërkon opozita, por që po kërkon qytetari”.

Ajo e ka quajtur Kurtin si kryeministrin më demagog të Kosovës.

“Përderisa nuk e kemi një punë që mund të thuhet se është e filluar dhe kryer nga Albini, atëherë mund të themi se është kryeministri më demagog, më i paaftë, me dhunë ka ardhur në pushtet, me dhunë do ta dorëzojë pushtetin”.

Afera ‘Zdravo’ qershia e radhës sipas Ganimete Musliut që e hëngër Kurti

Javën që shkoi u publikuan disa përgjime të Mimoza Kusarit, shefes së deputetëve të VV-së me Sllavko Simiqin e Listës Serbe.

Lidhur me atë që u quajt Afera Zdravo, e cila nxirrte në pah bashkëpunimin e mohuar VV-Lista Serbe, ka folur deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

Ajo tha se video-incizimet përbëjnë rrezik kombëtar.

“Kur kam thënë se Albini Kurti nuk la qershi pa hëngër kam qenë e vetëdijshme çka kam thënë. E njoh Kurtin dhe VV-në dhe duke u nis nga fakti që i njoh që 14 nuk kam besuar se janë kaq të paaftë, po me kalimin e kohës e kam kuptuar që nuk kanë lënë premtim pa shkel dhe vete fakti kur kam thënë s`le qershi pa hëngër e kam nënkuptu edhe këtë për Listën Serbe”.

Ajo thotë se Kurti duhet t`i përgjigjet legjislativit apo edhe ta mat vetën në zgjedhje për këtë siç e quajti ajo skandal.

“Po më vjen mirë që ajo që e kam thënë në Kuvend po vërtetohet. Afera Zdravo përben kërcënim kombëtar për vendin, Kurti ta jap llogari në Kuvend apo në zgjedhje përball qytetarëve”.

Ganimete Musliu: PDK nuk i frikësohet zgjedhjeve të reja

PDK-ja është njëra nga partitë opozitare më të zëshme, e cila vazhdimisht po kërkon zgjedhje të reja të parakohshme, me arsyetimin për të parandaluar dëmet që sipas saj kryeministri aktual i vendit Albin Kurti po ia shkakton Kosovës.

Deputetja e këtij subjekti thotë se nuk kanë frikë nga një proces i ri zgjedhor.

“PDK nuk iu ka frikësuar zgjedhjeve. Në zgjedhjet lokale kemi qenë në një moment të vështirë të organizimit me vetë faktin se dy liderët tanë edhe z.Thaci edhe Z.Veseli po përballën me proces të jashtëzakonshëm dhe të padrejtë, në zgjedhjet lokale jemi treguar shumë unik dhe shumë te organizuar dhe kemi arrit me dal partia e parë në Kosovë, duke fituar më së shumti komuna”.

Musliu: Qasja e Qeverisë karshi veteranëve e turpshme, Vjosa të mos e dekretoj Ligjin e të bëhet marionetë e Kurtit

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, protestuan të shtunën që shkoi në Prishtinë së bashku me deputetë të partive opozitare, kundër qeverisë Kurti dhe ligjit për pagën minimale që u votua në Kuvend, në të cilin nuk janë përfshirë kategoritë e dala nga lufta.

Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu e ka quajtur të turpshme qasjen qeveritare karshi kësaj kategorie.

“Qasja e qeverise ndaj veteranëve e turpshme dhe e pafalshme”.

Musliu shpreson se presidentja Vjosa Osmani nuk ia jep aminin Ligjit për Pagën Minimale.

“Shpresoj qe presidentja te mos e nënshkruajë ligjin, t`ia kthejë Qeverisë dhe Kuvendit sepse mendoj se ditën kur është votuar ky projektligj, është bërë një shkelje e të drejtave të njeriut, pastaj një shkelje e dinjitetit të veteranëve. Pres që presidentja të tregohet presidente e vendit dhe jo marionetë e Kurtit, siç ka ndodh rëndom”.