Mustafa: Po i përcjelli sulmet që VV dhe Vucic po i bëjnë Hotit, ‘a po dinë çfarë po thonë’

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj ‘sulmeve’ që Vetëvendosje dhe presidenti serb po i bëjnë kryeministrit Hoti lidhur me marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Mustafa ka shkruar në Facebook, se a po e dinë se çfarë po thonë VV’ja.

Me anë të një reagimi Mustafa ka thënë se nëse shihen deklaratat e VV’së, atëherë vërehet se kjo parti pajtohet që të krijohet Asociacioni sipas vendimit të Kushtetueses.

Mustafa këtë e ka thënë në kontekst të asaj që zyrtarët e VV’së, në deklarimet e tyre sipas tij nuk po e dinë kuptimin e asaj çka thonë.

Postimi i plotë:

A po dinë çfarë po thonë?!

Po i përcjell sulmet që po i bëhen Kryeministrit Hoti nga Lëvizja Vetëvendosje, në njërën anë dhe nga Presidenti i Serbisë, në anën tjetër, lidhur me Asociacionin (apo “Zajednicen, me gjuhën e VV-së)
VV ishte shprehur sot për mediat: “…. ne do ta mbrojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, nga kushdo e posaqërisht nga kryeministri ilegjitim Hoti”.

Ndërkaq, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë:

Gjykata Kushtetuese, ne mbeshtetje te nenit 84 (9) ne lidhje me nenin 112.1 te Kushtetutes, ne mbeshtetje me nenin 20 te Ligjit dhe me rregullin 56 (a) te Rregullores se punes, ne seancen e mbajtur me 21 dhjetor 2015, me shumice votash VENDOS

I. TE DEKLAROJE kerkesen te pranueshme;

II. TE KONSTATOJE qe Asociacioni/Bashkesia e komunave me shumice serbe do te themelohet, siç eshte parapare me Marreveshjen e Pare, te ratifikuar nga Kuvendi i Republikes se Kosoves dhe shpallur nga Presidentja e Republikes se Kosoves;…
Kjo le të konstatohet se LVV pajtohet të themelohet Asociacioni sipas Marrëveshjes së nënshkruar nga z. Thaçi, ashtu siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese.

Ndërkaq, Vuçiqi ishte pajtuar në Marrëveshjen mbi parimet, të cilën e nënshkruam në vitin 2015 që Asociacioni do të themelohet pasi që Gjykata Kushtetuese konstaton se vendimi i Qeverisë dhe Statuti, (përfshirë edhe ndryshimet e tij) janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. Kjo dispozitë nuk gjendet në Marrëveshjen e Parë! IM.