Mustafa: Vendi duhet të shkoj në zgjedhje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se janë disa njerëz që do të mund ta drejtonin dialogun me Serbinë nëse partia të cilën e udhëheq vjen në pushtet.

Ai ka ripërsëritur qëndrimin e kësaj partie se vendi gjithsesi duhet të shkojë në zgjedhje duke shtuar se kushdo që ka fuqi më të madhe politike duhet të marrë kryesimin në dialog, shkruan GazetaBlic, transmeton Klan Kosova.

“Unë mund të them se LDK-ja ka mjaftë njerëz që mund ta udhëheqin procesin e dialogut me Serbinë. Tash është jokorrekte që unë t’i emërtoj njerëzit këtu, por ne jemi partia që kemi përkrahjen qytetare”.

“Jemi partia që tani kemi numrin më të madh të deputetëve, jemi partia e cila sipas të gjitha sondazheve po del me përkrahjen më të madhe të qytetarëve”.

“Do të thotë që qëndrojmë në rendin e parë, dhe jemi po ashtu partia që kemi dalë nga zgjedhjet lokale si parti larg më e fuqishme sesa partitë e tjera politike”.

“Prandaj, po të mos kishim ne njerëz, atëherë s’do të ishim kjo LDK që jemi. Njerëz kemi por procesi duhet të jetë krejt ndryshe”.

“Unë mendoj se zgjidhja më e mirë për Kosovën është që të shkojmë në zgjedhje. Ne përmes zgjedhjeve mund ta matim forcën tonë dhe ta marrim legjitimitetin qytetarë për dialogun”.

“Nuk është një proces i cili zgjatë shumë që ta themelojmë Qeverinë ashtu siç dalim nga zgjedhjet”.

“Qeveria që do të formohet duhet ta marrë për obligim që ta udhëheqë dialogun dhe të zotohen të gjitha partitë, LDK, PDK dhe VV se do të përfshihen në dialog në mënyrë që mos të krijohen pakënaqësi”.

“Duhet që fuqishëm të angazhohemi në procesin e dialogut sepse është në pyetje Kosova”.

“Janë në pyetje çështjet të cilat ne nuk guxojmë t’i lëmë anash pa marrë parasysh se a jemi pozitë apo opozitë”.