Nafta dhe gazi në Shqipëri, mundësi për investime nga kompanitë e huaja

“Shqipëria ofron shanse për investim nga kompanitë shumëkombëshe të naftës dhe gazit. Ka një histori të gjatë të prodhimit të naftës, të operacioneve dhe të blloqeve aktive të eksplorimit për naftë dhe gaz, një ekspertizë të ndërtuar prej dekadash nga punonjësit e sektorit në Shqipëri, infrastrukturë të përmirësuar, si dhe një regjim fiskal të parashikuar për naftën dhe gazin”.

Kështu thuhet në shkrimin në revistën e muajit qershor, të kompanisë ‘Deloitte”, që është gjiganti botëror i auditit dhe konsulencës fiskale, që i jep një rëndësi të veçantë profilit të Shqipërisë dhe fton investitorët e huaj të marrin në konsideratë resurset e këtij sektori në vendin tonë për të ndërmarrë sipërmarrje të reja.

“TAP pritet të luajë një rol madhor në  zhvillimin  e tregut energjetik të Shqipërisë si dhe të lehtësojë objektivin e Shqipërisë për t’u bërë një qendër gazi në Ballkanin Perëndimor. Qeveria shqiptare ka aprovuar masterplanin e gazit natyror që i hap rrugën investimeve private për ndërtimin e një infrastrukture të gazit”, vijon më tej shkrimi. Ndër të tjera shkrimi argumenton se Shqipëria është një shans i mirë për investitorët, për sa i takon regjimit fiskal dhe potencialeve të mëdha naftëmbajtëse që ka në Shqipëri./atsh