Kur mund të nisë gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve? – flet avokati Pallaska

Avokati, Dastid Pallaska, i cili është pjesë e ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit në Hagë, thotë se ish-presidenti i Kosovës po mbahet në paraburgim me supozime se mund të ndikojë në zhvillimin e procedurave, ani pse deri tani nuk janë ofruar prova konkrete që e arsyetojnë këtë dyshim.

Sipas tij, Gjykata Speciale, të cilën e themeloi vet Kosova, nuk u beson institucioneve të shtetit.

Në një intervistë për KosovaPress, avokati thotë se gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve pritet të fillojë në fund të këtij viti, por sipas tij, kjo periudhë ende mbetet vetëm parashikim.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, nga nëntori i vitit 2020 po vazhdojnë të qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndaj të cilëve rëndojnë akuza nën pretendimin për krime lufte, dhe përveç konferencave statutore, procesi gjyqësor ende nuk ka filluar.

Avokati Dastid Pallaska thotë se gjatë vitit të kaluar procesi është shoqëruar me shkelje të mëdha procedurale të cilat kanë vështirësuar punën e mbrojtjes.

Avokati i Thaçit thotë se nuk ekziston asnjë kusht për mbajtjen e tij në paraburgim. Sipas tij, ani pse Thaçi dhe të tjerët janë dorëzuar në mënyrë vullnetare, trajtimi atje po bëhet sikur të njëjtit të ishin arrestuar.